Shpëtohet shqiponja e plagosur dhe e lidhur në gardh

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në zonën e Buhalit në Përmet ku një shqiponjë është gjendur e plagosur dhe e lidhur për së gjalli në një gardh. Lajmin e ka bërë të ditur një aktiviste për mbrojtjen e kafshëve, Suela Luarasi në rrjete sociale.

‘Ky akt kriminal duhet të na turpërojë të gjithëve e u bëjmë thirrje Agjencisë së Zonave të Mbrojtura të hapin telefonat e të reagojnë urgjentisht!’- shkruan ajo.

Në një video tjetër, aktivistja së bashku me mnjë efektiv policie kanë liruar shpendin nga gardhi ku e kishin lidhur.

‘Falë angazhimit qytetar, ndihmës së policisë Përmet dhe Agjencisë së Zonave të Mbrojtura shqiponja e malit e balsamosur për së gjalli në fshatin Buhal u shpëtua dhe u morr për një kontroll veterinar. Pas trajtimit mjekësor do të lihet e lirë të fluturojë ashtu siç di vetë ajo.’- thuhet në reagim.

Policia kërkon autorin

Policia e Shtetit ka reaguar për shqiponjën e cila u gjend sot nga një aktiviste në Buhal të Përmetit e plagosur dhe e lidhur. Në njoftimin zyrtar, policia thotë se po punon për të gjetur e për të arrestuar autorin.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet, specialistët e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura dhe një veteriner, i shkojnë në ndihmë një shpendi (shqiponjë) që ishte keqtrajtuar në fshatin Buhal, rast për të cilin Policia u njoftua nga shtetasja S. L.

Vijon puna për identifikimin e shtetasit që ka plagosur dhe ka lidhur shpendin, në një portë, me qëllim balsamosjen të gjallë.

Rasti, me një impakt të lartë publik në rrjetet sociale, u vlerësua me seriozitet dhe menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për të identifikuar dhe për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, autorin e këtij krimi që parashikohet dhe ndëshkohet nga neni 207/c i Kodit Penal.

Shpendi (shqiponja), aktualisht po merr ndihmë të specializuar mjekësore nga veterineri, i cili ka asistuar shërbimet e Policisë, gjatë veprimeve për lirimin e shpendit, nga porta ku ishte lidhur.

Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo paligjshmëri që ata hasin. Reagimi ndaj të gjitha denoncimeve do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjeve”-njoftoi policia.

Loading...