Gjiknuri dhe Lluka firmosin memorandumin e bashkëpunimit-
TIRANË, 8 nëntor/ATSH/- Shqipëria dhe Kosova do të shkëmbejnë përvojën e tyre në menaxhimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri bashkë me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka dhe atë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Fatmir Matoshi morën pjesë në konferencën e përbashkët të organizuar në Tiranë nga shoqatat e Ujësjellës-Kanalizimeve të dy vendeve.
Shqipëria tanimë është vendi i parë në rajon që në kuadër të bashkëpunimit me USAID ka formalizuar një program për trajnimin dhe çertifikimin e stafeve të shoqërive të ujësjellës-kanalizimeve.
Për këtë arsye, mes ministrave Gjiknuri e Lluka u firmos edhe një memorandum i përbashkët përmes të cilit do mundet që dy vendet të shkëmbejnë përvojën e tyre me synim mirëmenaxhimin e burimeve njerëzore.
“Që të administrojmë siç duhet ujin duhet të kemi njerëz profesionistë e që dinë të menaxhojnë këtë pasuri kaq të rëndësishme. Ne në Shqipëri kemi filluar një reformë të rëndësishme përsa i përket mirëmenaxhimit të sektorit të ujit të pijshëm. Rezultatet e para kanë qenë të mira. “Është rritur arkëtimi me 17 milion euro më shumë se vitin e kaluar për të njëjtën periudhë. Janë reduktuar ekspozimet e ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve ndaj Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë”, u shpreh ministri Gjiknuri.
Sipas tij, në kuadër të reformës së ujit është bërë e mundur që në periudhën 9-Mujore të këtij viti të instalohen 74 mijë matësa dhe 37 mijë kontrata të reja të nënshkruhen.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Valdrin Lluka vuri theksin tek nevoja për rritjen e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe shkëmbimin e eksperiencave pozitive në menaxhimin e sektorit të ujësjellës-kanalizimeve.
“Kemi nevojë edhe ne në Kosovë për praktikat më të mira që ofron Shqipëria, sidomos nga disa praktika me menaxhimin e ujërave të zeza. Prandaj, le të jetë kjo edhe një metodë e shkëmbimit të këtyre praktikave që mund ti aplikojmë në vendet tona në mënyrë që bashkarisht t’i menaxhojmë ujërat sa më mirë”, theksoi ministri Lluka.
I pranishëm në aktivitet, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës Fatmir Matoshi theksoi se konferenca të tilla janë mbështetje dhe shtytje edhe për ministritë dhe qeveritë e dy vendeve.ATSH