E sotmja ka qene nje ditë historike për basketbollin dhe sportin e Kosovës dhe Shqipërisë. Kjo për faktin se sonte në Tiranë është nënshkruar marrëveshja e bashkëpunimit për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë.
Marrëveshja u nënshkrua nga kryetarët e federatave përkatëse të basketbollit të Kosovës dhe Shqipërisë, Arben Fetahu, Kryetar i Federatës së Basketbollit të Kosovës, përkatësisht Avni Ponari, Kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë personalitete të rëndësishme të politikës e të sportit të të dyja vendeve. Marrëveshja u nënshkrua në praninë e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, Ministres së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Vlora Dumoshi, Ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë së Shqipërisë, Besa Shahini, zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Kosovës, Valdete Bajrami dhe Kryetarit të FIBA Europe, Turgay Demirel.
Liga Unike në basketboll është i pari sport në mes dy vendeve që krijon një ligë të përbashkët të kësaj natyre. Kjo ligë ka për qëllim realizimin e idesë së kahmotshme për zhvillimin e aktiviteteve garuese të klubeve të të dyjave vendeve. Kalendari garues i kësaj lige do të zhvillohet krahas ligave kombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij, ndër të tjera, u shpreh se nisma të këtilla janë të mirëseardhura dhe kanë përkrahjen e tij. Kjo ligë ka qenë dëshirë e kahmotshme dhe idetë marrin kohën e duhur që të ndodhin dhe ky fakt po ndodh. Kryeministri Rama foli edhe për bashkëpunimet tjera Shqipëri-Kosovë por kjo ligë përmes aktiviteteve konkrete shkon edhe një hap përtej, dhe kjo ligë do të jetë shtysë edhe për shumë nisma tjera. Kjo ligë do të ngreh nivelin e konkurrencës dhe do të krijojë hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në parket.
Ministrja Vlora Dumoshi, tha se është e nderuar që po merr pjesë në këtë marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës. Ajo u shpreh se me shpalosjen e idesë nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, e kam përkrahur pa mëdyshje dhe pa hezitim.
Ministrja tha se do ne i përkrahim federatat në përgjithësi, e konkretisht edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës. Po ashtu, ministrja tregoi edhe për investimet në infrastrukturë. “Do të jetë një ndjenjë e veçantë kur në tribunat e palestrave gjatë zhvillimit të garave të kësaj lige do të brohoritet O sa mirë me qenë shqiptarë”, tha në fjalën e saj ministrja Dumoshi.
Ministrja Besa Shahini, tha se Liga Unike e Basketbollit i bën bashkë shqiptarët në të dy anët e kufirit. Ky projekt është në vazhdën e shumë projekteve që ka ministria që udhëheq ministrja Shahini. Ajo tha se uron që kjo ligë të zgjerohet edhe përtej Kosovës e Shqipërisë, edhe tek shqiptarët në Luginë e Preshevës, Mal të Zi.
Arben Fetahu, Kryetari i FBK-së, u shpreh se kjo ligë u bë realitet përkundër shumë sfidave. Ai sqaroi se logoja e Ligës Unike ka simbolikë të mburojës ilire.
Avni Ponari, Kryetar i FSHB-së, tha së kjo ligë është e rëndësisë së veçantë dhe do të jetë një shenjë e mirë në historinë e basketbollit dhe më gjerë. Ai tha se shpreson që politika do ta mbështesë këtë ligë.
Ilir Trebicka, kryetari i sapozgjedhur i Ligës Unike, tha se është një iniciativë e veçantë për të dyja vendet dhe i falënderoj të dyja qeveritë për njohjen e kësaj nisme. Është një ligë e veçantë për mbarë kombin shqiptar.