Shqipëria e vogël mund të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë

“Ne nuk mund ta humbim këtë luftë për qejfin e atyre që akoma s’po duan të marrin vesh dhe ne mund vetëm ta fitojmë e do ta fitojmë me se s’bën këtë luftë, ku deri tani kemi provuar botërisht se Shqipëria e vogël, me të gjitha mangësitë e veta, është në gjendje të bëjë një histori suksesi që të mbahet mend gjatë, falë popullit të saj dhe qeverisë që po udhëheq luftën”.

Kështu u shpreh kryeministri Rama në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve ndërsa theksoi se për sa kohë që ende kjo luftë nuk ka përfunduar, ende duhet të bëjmë durim për t’a fituar luftën ndaj virusit vdekjeprurës.

Ai tha se numri i të shëruarve në Shqipëri është optimizmi pas çdo dite rraskapitëse.

“Ka ndodhur gjithë këto javë që Policia e Shtetit të kapë e të ndëshkojë me gjobë e me mbyllje lokale shërbimi, ku u ofrohet kafe e raki trimave të lagjes. Janë pak raste, po për natyrën e kësaj lufte janë aq shumë, sa për të bërë hatanë, duke nxitur përhapjen e infeksionit që pastaj bëhet zinxhir pa fund. Kështu që nuk mund dhe nuk do të lejojmë më që të ketë mbyllje e gjobitje, por dhe konfiskim dhe deri heqje lirie për autorët e këtyre akteve kriminale në kohë lufte”, tha Rama.

“Më vjen shumë keq po na duhet të përshkallëzojmë të gjitha këto masa, që një pakicë absurde të mos marrë në qafë shumicën dërrmuese, të cilën duhet ta lehtësojmë sadopak, sepse është krejtësisht e vetëdijshme sepse po lufton e po reziston në mënyrë shembullore”, theksoi Kryeministri.

“Sot kemi një numër shërimesh që na jep shumë optimizëm krahasuar dhe me shumë vende të tjera, në fund të çdo ditë rraskapitëse. Por teksa po shkojmë përditë drejt një pike kulmore të luftës që ende nuk e kemi arritur, duhet të mos e harrojmë kurrë, asnjë çast, se bilancet e luftërave bëhen në fund dhe s’ka ndeshje që fitohet pa rënë bilbili. Kështu që deri kur të bjerë bilbili i fundit, duhet të vazhdojmë të rezistojmë në këtë mbrojtje të fortë e të mbështesim fort njëri-tjetrin, ndërsa bilbili le të vazhdojë të bjerë fort e më fort për të gjithë sabotatorët e papërgjegjshëm të kësaj lufte për jetë a vdekje dhe prej të cilës ne kemi detyrimin të dalim kryelartë përpara njëri-tjetrit e përpara brezave që do të flasin për ne”, theksoi Rama. /atsh

Loading...