‘Shqipëria është si parajsë, njerëzit janë shumë të dashur’

Prej vitesh numri i turistëve të huaj që zgjedhin si destinacion Shqipërinë, është rritur, ama këtë vit mund të themi me plot gojën që Shqipëria është pushtuar nga turistët e huaj.

Ata i gjen kudo nga veriu në jug, në rrugët e Tiranës, në bregdetin e Shqipërisë, në Alpe, në festivalet muzikore, në fshatra, liqene, lumenj, në monumentet historike dhe kulturore…edhe në ato vende që ndoshta shumë shqiptarë nuk kanë shkuar t’i vizitojnë, turistët e huaj kanë shkelur, dhe kanë parë natyrën përrallore që ofron Shqipëria.

“Është një shtet i bukur, plazhe shumë të bukura dhe është lirë”

“Mendoj që nuk njohim shumë për Ballkanin, përveç Malit të zi dhe Kroacisë që janë më të dëgjuara. Dhe definitivisht mund të them se me këtë udhëtim në Shqipëri mësova shumë për historinë e vendit tuaj.”

“Eshtë një tokë fantastike, një vend I lirë për ne europianët, natyra shumë e bukur, mund të bëjmë hiking në mal…”

“Kemi qenë në Mal të Zi perpara 6 vitesh dhe aty njohëm disa shqiptarë që na folën për Shqipërinë dhe vendet që ofron, ata ishin shumë miqësor dhe të sjellshëm, ndaj menduam që të vinim.”

“Na pëlqeu natyra, kërkuam për Shqipërinë pamë disa vende përrallore, dhe ndaj erdhëm. “

“Është shumë lirë, bukur, isha në Athinë dhe nëse do e krahasojë me Tiranën këtu është më mirë, ndërtesa më të bukura, rrugë më të mira, ndihem më i sigurt këtu.”

“Shqiptarët janë kushërinjtë tanë, të vish nga Italia këtu nuk kushton shumë. Kështu që erdhëm të shihnim sa ishte zhvilluar vendi.”

“Më pëlqen Evropa Lindore dhe mendova se Shqipëria mund të ishte një vend i bukur për ta vizituar. Nuk dija shumë për Shqipërinë dija që ishte pjesë e Ballkanit dhe Jugosllavisë dhe vetëm kaq”, thonë ata.

Si pasojë e luftës civile në ‘97, por edhe luftës në Kosovë, të huajt e kanë parë Shqipërinë si një vend jo të sigurt. Gjithsesi ky mentalitet nisi të ndryshojë gradualisht përmes spoteve promotore të turizmit shqiptarë, kujtojmë këtu spotin publicitar, me sloganin ‘Albania – A new Mediterranean Love’ / ‘Shqipëria – një dashuri e re mesdhetare’, një spot që promovonte turizmin e Shqipërisë me imazhe dhe filmime të përzgjedhura nga I gjithë vendi, transmetuar edhe në kanalin prestigjioz CNN i cili do të bënte çdo shikues të memorizonte këtë vend të vogël, i cili synonte të kthehej në një destinacion të ri mesdhetar.

Ylli i kinematografisë hollivudiane, James Belushi ka qenë një tjetër promotor i turizmit shqiptar për të huaj, 12 vjet më parë teksa e cilësonte Shqipërinë si një vend me bukuri mahnitëse që duhet mbrojtur si një thesar.

Në sytë e të huajve, Shqipëria vit pas viti nisi të maturohet si vend turistik, teksa ndër vite janë shtuar artikujt që shkruajnë për bukuritë natyrore, plazhet apo të tjera pika në vendin tonë. Rekomandimet janë shtuar, madje edhe nga mediat më prestigjioze.

Ata që nuk kanë reshtur së promovuari Shqipërinë si një destinacion që duhet eksploruar, kanë qenë edhe shqiptarët e shumtë që gjenden në të katër anët e botës.

“Unë jetoj në Zvicër dhe gjithnjë ju them miqve të vijnë të vizitojnë Shqipërinë, nuk ka si Shqipëria.”

“Jam nga Norvegjia, kam një kolege nga Shqipëria në punë dhe ajo ma sugjeroi, shumë nga miqtë e mi kanë qenë në Shqipëri dhe të tjerë duan të vijnë. Mendoj që Shqipëria është shumë e njohur tek ne, ka shumë fluturime Norvegji Shqipëri”.

Po si e shpjegojnë ekspertët e turizmit Alb-maninë, tokën e shqiponjës të cilën mediat më prestigjioze po e cilësojnë si Maldivet brenda Europës.

“Është një vend i pa eksploruar, i lirë, dhe mendoj se ka dy faktorë që kanë ndikuar, së parifakti që nuk është shumë i njohur si vend, dhe linjat direkte të fluturimeve e bëjnë më të thjesht mbërritjen këtu”, tha Flora Xhemani, eksperte turizmi.

Nëse do të shkosh në Sarandë, i cili konsiderohet si qyteti i ditës dhe i natës, për shkak të plazheve me ujë të kristaltë dhe jetës së gjallë të natës… do të shohësh se 1 në 3 pushues, janë të huaj. Kryesojnë ata nga vendet skandinave si Suedia dhe Norvegjia, italianet por edhe dhe britanikët. Gjenerata e re e britanikëve gjithnjë e më shumë po vjen drejt Shqipërisë, vendit jo pak të gjykuar tek ta. Po çfarë kanë menduar britanikët për Shqipërinë dhe çfarë mendojnë tani për këtë vend e popullor që e kanë vizituar?

“Do vija këtu vitin e kaluar por nuk munda, është i mrekullueshëm ky vend. Lexova shumë në bloget e udhëtimeve nëse është e sigurt për një vajzë të vijë në Shqipëri, dhe të gjithë thoshin po këtu çdo gjë shfaqet e sigurt. Prindërit e mi ishin pak të vështirë për tu bindur që të vija këtu, por I thash ta merrnin më qetësisht, dhe në fakt çdokush këtu ka qenë shumë I sjellshëm me në dhe 100% do të vijë sërish në Shqipëri. Është një vend I madh dhe ka shumë për të eksploruar”

“Të jem e sinqertë nuk dija shumë se cfarë të prisja nga Shqipëria, isha e përhumbur. Kur ju thamë miqve tanë që do të vinim këtu shumë prej tyre thanë “çdo bëni aty”.. Nuk dija thuajse asgjë për Shqipërinë vetëm që me duket se keni qenë në luftë për një kohë të gjatë.. kaq në mos gabohem.”

“Dinim që doni të hyni në BE, kemi dëgjuar nga njerëzit se nuk sugjerohej si vend ..por të gjithë këto kanë qenë përshtypje të gabuara. Mendoj që Shqipëria ka nevojë të njihet më shumë për cka është dhe cka ofron. Ne e kemi parë në rrjetet sociale dhe mendoj se sa më shumë njerëzit të publikojnë artikuj dhe video nga ky vend aq më shumë do të vijnë, është një vend vërtet I këndshëm.”

“Unë jetoj në Londër, dhe atje ka shumë shqiptarë. Ata na treguan foto nga Shqipëria, dukej mbresëlënëse dhe ndaj erdhëm ta vizitojmë. Të them të drejtën kam dëgjuar shumë gjëra për Shqipërinë, dhe gjëra të këqija. Po deri tani s’kam parë asgjë të keqe këtu, është si parajsë madje, këto ujra, dielli, njerëzit… nuk mund të ankohem. Dua të vijë sërish këtu, dhe me siguri do planifikoj një udhëtim të radhës.”

“Të jem e sinqertë nuk dija asgjë për Shqipërinë më parë, por do e rekomandoj atë tek gjithë njerëzit që njoh. Është shumë bukur, njerëzit janë shumë të dashur, dhe më vjen mirë që erdha këtu edhe pse nuk dija asgjë për këtë vend. “

“Nuk ka një reputacion të mirë Shqipëria, kam takuar disa shqiptarë, por doja të vija vetë këtu dhe të njihja shqiptarët e vërtetë”, thanë turistët nga Britania.Top Channel

Loading...