Edhe ndeshja e nëntë e kuqezinjve tanë ndaj Polonisë, në të gjithë historinë e dy kombëtareve, nuk e prishi dot tabunë. Pra, Shqipëria nuk e njeh fitoren ndaj këtij kundërshtari, edhe kur e gjen në ditë të vështirë si aktualisht, në krizë të plotë rezultatesh. Madje, në njëfarë mënyrë ia dhuron vetë 3 pikët, edhe pse rezultati duket i pastër 3-1.
E pajustifikueshme, madje irrituese mbajtja e topit nga lojtarët tanë në zona të rrezikshme dhe jo, duke ia dorëzuar nën presion kundërshtarit. Në golin e dytë dhe të tretë ndodhi pikërisht kjo gjë, çka tregon për fodullëk individësh që çon dëm punën e krejt skuadrës. Veç disfatës 4-1, që e kalon Poloninë para nesh me një pikë më shumë për momentin në Grupin I, kuqezinjtë tanë bënë “harakiri” të dyfishtë.
Plot tre lojtarë titullarë, edhe pse e dinin se kishin nga një karton të verdhë, u ndëshkuan sërish sonte, duke humbur sfidën e radhës, tejet e rëndësishme, ndaj Huingarisë, më 5 shtator. Mëkatarë të mëdhenj në këtë drejtim janë Hysaj, Bare dhe Manaj. Të pafalshme veprimet e tyre aspak profesioniste, qoftë duke bërë faulle taktike pas gafave në mbajtjen e tepruar të topit, qoftë duke protestuar te gjyqtari. E meqë jemi te ky i fundit, gabimi ishte i qartë në rastin e Manajt, kur iu mohua një penallti e dukshme.
Sidoqoftë, Polonia nuk na vodhi asgjë, për të qenë realistë. Përkundrazi, e ndihmuam ne për të fituar pastër dhe dalë nga kriza e gjatë rezultative me gafat në rastet e golave. Mbrojtja, reparti më solid i Shqipërisë, sonte çaloi shumë, bëri gabime në vendosje dhe markim nga afër, si Kumbulla në golin e tretë. Mesfusha ishte konfuze, nuk i ftilloi dot aksionet. Cikalleshi dhe Manaj, dy sulmuesit kuqezinj, mbetën të shkëputur nga pjesa tjetër e skuadrës.
Mund të jetë një imazh i duke luajtur një sport
Vetëm në një rast, Cikalleshi nxori nga repertori i vet një veprim mjaft të zgjuar, kur barazoi për 1-1, në një pozicion shumë të vështirë. Gjëja e vetme për t’u përshëndetur nga kombëtarja jonë në këtë ndeshje kualifikuese, që sikurse thamë më sipër doli e “sakatuar” për duelin pasues me hungarezët në “Elbasan Arena”. Tri mungesa me shumë peshë janë konfirmuar që sonte, me kartonët e verdhë të marrë: Hysaj, Bare dhe Manaj.
Trajneri Edy Reja, besnik i skemës së tij 3-5-2, që në fazën difensive tenton drejt 5-3-2, nuk ia doli të ftillojë gjë nga stoli edhe me zëvendësimet. I çuditshëm veprimi i tij për të lënë në tribunë një sulmues si Armando Broja, megjithatë kësaj humbjeje mund t’i gjesh shumë “baballarë”, nëse e analizon me detaje. Të humbasësh nga Polonisë së Lewandowskit nuk është fundi i botës, por t’ia dhurosh fitoren me gafat e tua, kjo peshon shumë.
Mund të jetë një imazh i 1 person dhe përfshirja në një sport
Në fund, sa për statistikë, duhet të kujtojmë edhe autorët e golave në fitoren 4-1 të polakëve: Lewandowski 12’, Buksa 44’, Krychowiak 54’, Karol Linetty 89’ / Cikalleshi 25’. Më 5 shtator, e përsërisim, do të presim në shtëpi Hungarinë, që sonte u shkatërrua 4-0 nga Anglia, pastaj më 8 shtator e mbyllim këtë seri kualifikuesesh të shtatorit ndaj modestëve të San Marinos.