Shqipëria merr vlerësime nga UNESCO për trashëgiminë kulturore

UNESCO ka vlerësuar punën që po bën Shqipëria në drejtim të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore.

Për të dytën herë brenda pak muajsh ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro është takuar me drejtoreshën e përgjithshme të UNESCO-s, Audrey Azoulay, takim ky që u mbajt në Paris, në selinë e UNECO-s, aty ku është hapur ekspozita “Një dritare në trashëgiminë kulturore të Shqipërisë”.

“Audrey Azoulay jo vetëm një mikeshë e mirë, por edhe një dashamirëse e vëmendshme e Shqipërisë për kauzat tona të përbashkëta: Edukimin dhe Kulturën. Kënaqësi dhe nder që të merrja përgëzimet e saj në emër të UNESCO-s, për punën që po bën Shqipëria me Trashëgiminë Kulturore”, thotë ministrja Kumbaro.

Ekspozita dhe takimi me drejtoreshën Audrey Azoulay në selinë e UNESCO-s vjen në kuadër të 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë. Ekspozita u çel një ditë më parë nga ministrja e Kulturës dhe do të qëndrojë e hapur për disa ditë. Pjesë e kësaj ekspozite është një koleksion i ikonave bizantine, i piktorëve të rrallë shqiptarë. Me rastin e 60-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në UNESCO, në mesin e muajit tetor u organizua në Shqipëri një aktivitet, ku u evidentua puna kolosale e bërë ndër vite për të mbrojtur dhe promovuar vlerat e trashëgimisë tonë kulturore.

Pak mbi Shqipërinë në UNESCO…

Qyteti antik i Butrintit ishte pasuria e parë që u bë pjesë e trashëgimisë botërore në vitin 1992. Më pas vijoi puna me pranimin e Gjirokastrës, Beratit dhe Isopolifonisë. Aktualisht,  Shqipëria ka aplikuar pranë kësaj organizate me pasuri të tjera. Është duke u shqyrtuar dosja për praninë në po këtë listë të Liqenit të Ohrit për pjesën shqiptare, si zgjerim i pjesës maqedonase. Miratimi pritet të ndodhë në sesionin e korrikut 2019. Më pas do të aplikohet për qytetin antik të Apolonisë, Amfiteatrin e Durrësit, Varret e Selcës apo Kështjella e Bashtovës.

Ndërkaq, në bashkëpunim me UNESCO-n ka nisur puna për hartimin e Planit të Integruar të Menaxhimit të Parkut të Butrintit, i cili do të përfundojë vitin e ardhshëm./atsh

Loading...