George Fred Williams
Ky popull është shembull më i madh për të mbajturit e moralit dhe të meritave të trashëguara për fisnikërinë dhe për shekuj me radhë ka qenë nën kapacitetin e tij, që, megjithëse influencën tirane dhe degraduese, e mban prap kryet lart, nuk i ka humbë shpresat e veta dhe gjithnjë thotë se jam shqiptar, qoftë edhe në mes të zjarrit e për këtë ky meriton të gradohet me një listë të gjatë virtytesh të pastra e shembullore.
Trimëria e tyre s’ka kufi; ata e përballojnë vdekjen dhe fatkeqësinë e tyre pa u trembur; fjala e Besës për ta është shumë më e shenjtë se sa bëmat e mëdha të popujve të civilizuar; hospitaliteti i tyre vijon deri sa mos t’u mbetet më kurrgjë; virtytet e grave të tyre, janë tradicionale, dhe vdekja është dënimi i zakonshëm dhe i shpejtë në raste tradhëtie ose imoraliteti; sensiviteti i tyre në çnderime dhe fyerje është shumë më i madh se sa në gënjeshtra e shpifje dhe kështu rastet mbarojnë gjithmonë në gjakmarrje; n’asnjë vend tjetër të botës nuk është më e sigurtë gruaja nga ofendimet sa në Shqipëri, ai që vret një grue bie nga vlefta dhe e humb emrin e famën. Bajroni e nderon në këtë mënyrë besnikërinë e shqiptarëve nga eksperienca personale që pati pranë tyre:
T’ashpër janë djemt e Shqipnis,
e megjith kët nuk u mungojnë virtytet,
po t’ishim këta ma tepër maturë
Ku asht anmiku që u ka shpinën
e shtekun të lirojnë?
Fortesat e shtëpitë e tyne nuk
janë ma të sigurta kurrë
Se ata vetë në kohna trubullimi
e në rasa nevojet;
Sa e randë asht mënija e tyne;
por kur ta falin
miqësija asht fare sigurë
Kur mirnjoftsija ose fisnikija
me derdh gjakun i thëret
Të pa trembur shkojnë përpara
ku do që t’i çoj udhëheqësi i vet. Kaq tepër e admironte Bajroni këtë popull saqë Shelleys e thirri këtë me emrin përkëdhelës “Albi”.
Malësori dallohet nga qytetari. Veshja përgjithësisht është si veshja kombëtare e Greqisë. Fustanella, një fustan i bardhë që mbërrin deri te gjuri, çorapë të bardha mbulojnë puplat e këmbëve, këpucë me maja të kthyera e me tufa mbi ta, rripi i mesit (silahu) i mbushur me armë, xhamadani me mëngë të lëshuara mbrapa dhe qeleshe). Ky popull rron në formën patrike (patriarchal); plaku i shtëpisë nderohet dhe shquhet për mbi të tjerët dhe të gjithë e dëgjojnë.
Vajzat nderojnë dhe dëgjojnë nënën. U mbarohet më parë çdo dëshirë prindërve e pastaj të tjerëve.
Te ky popull nderimi për moshën është një karakteristikë e veçantë; janë shumë zemër mirë për njëri-tjetrin; ndihmojnë shoqi-shoqin në rast rreziku a nevoje, kanë respekt për eprorët e tyre dhe e mbajnë besën me drejtësi e me ndërgjegje të pastër.
Në mes të tyre flasin një gjuhë dekorative, përdorin terma të pastra dhe të prishurit e gojës shpërblehet pa vonesë e nga ndonjë herë shumë rëndë. As me qeshje nuk po përdoret gjuhë abuzive.
Hospitaliteti është në kulmin e tij në Shqipëri; një atakim po t’i bëhet mikut në çdo mënyrë qoftë, është një çnderim i madh për të zotin e shtëpisë e për gjithë fisin e tij.
Ai që grabit ose vjedh mikun, mbas zakonit të vendit, dënohet shumë rëndë; ose me vdekje ose nxirret jashtë fisit. Burrat janë të gjatë. Gegët në Veri janë më të gjatë se Toskët, në Jugë; gjithashtu më të fortë dhe më të rreptë. Një shkrimtar e përshkuen lëvizjen e malësorëve të Veriut si dhitë e egra që i ngjiten majave e shkëmbinjve më të mprehtë dhe zbresin pa pikë frike nga këto vende, që kur i sheh, thua se as gjë e gjallë s’mund të shpëtojë nga ato.
“Besa” është tradita më e shenjtë; kur njëri ka besën e një personi të mirë të njerit fis, çnderimi më i madh e pret thyesin e saj prej çdo personi të atij fisi. Besa e Shqiptarit jo vetëm që mbahet dhe mbrohet me vullnetin më të mirë, por shqiptari, po të jetë nevoja, jep edhe jetën për të mbajtur besën. Një udhëtar nën fjalën e Besës është nën mbrojtje të shenjtë.