Shqiptarët të papërgjegjshëm/ Nuk mbajnë maska, vjen paralajmërimi…

Në ditën e tretë të lëvizjes së autobusëve në Tiranë janë hasur disa problematika që konstatohen si nga vetë qytetarët ashtu edhe nga shoqatat e transportit publik.

Kjo e fundit paralajmëron rimbylljen, pasi të ardhurat nuk justifikojnë shpenzimet. “Me këtë numër të reduktuar pasagjerësh që ne kemi, çdo operator ka të ardhura të munguara në fund të ditës, të cilat nuk justifikojnë shpenzimet. Automatikisht kjo të çon drejt rimbylljes”, shprehet për A2 Rixhin Qoshja, kreu i shoqatës së transportit publik.

Por si ka qenë situata e transportit me urbanë, në 3 ditët e para? Ditën e hënë, qytetarët ankoheshin për mosrespektimin e masave të sigurisë. Punonjës të bashkisë së Tiranës inspektonin në brendësi të autobusëve për vendosjen e maskës, ndërsa numri i pasagjerëve ishte i ulët, ndonëse ishte fillim javë dhe pritej fluks lëvizjesh.

Ditën e martë, punonjësi i bashkisë ishte dislokuar në Kombinat. Qytetarët e Kombinatit që përdorin autobus duket se ishin të ndërgjegjshëm për respektimin e masave të sigurisë, por tek Gjendja Civile dukej qartazi shpërfillja e distancave fizike. Edhe në linjën e Tiranës së Re, vihej re një numër i ulët pasagjerësh, ndërsa duhej më shumë se 30 minuta për të mbërritur autobusi i radhës.

Linja e Institutit të Kamzës funksiononte gjithashtu me 50% të kapacitetit, ndërsa ata që uleshin në një sedilje, e kishin një arsye. Në Unazë kishte mungesë qytetarësh dhe për rrjedhojë distanca fizike ishte e siguruar. Situata ndryshonte disi mëngjesin e së mërkurës, ku kishte edhe qytetarë që nuk gjetën vende, por detyroheshin të qëndronin në këmbë, siç ndodhte me linjën e Kamzës apo të Kombinatit..

Loading...