Aeroporti i Zyrihut në Zvicër njihet si ndër më të mirët në botë për cilësinë dhe sigurinë. Madje ata krenohen për këtë gjë.
Por para pak javësh ka ndodhur një ngjarje e jashtëzakonshme. Rreth orës 22:00, një shqiptar 22-vjeçar ka hyrë pa autorizim në ambientet e aeroportit.
Më pas ai ka hyrë në pistën e avionëve dhe ka vjedhur një makinë zvicerane, të cilën e përdori për të shkuar drejt pistës 28.
Në këtë pistë që përdoret për fluturimet në distanca të largëta, shqiptari u përpoq që të hipte në një avion për në Johanesburg, duke përdorur një jelek fluoreshent. Por ekuipazhi i ndaloi hyrjen dhe ai më pas u largua.
Një punonjës i sigurisë së aeroportit më në fund e zbuloi atë në kabinën e ngarkesave të një avioni që po fluturonte drejt San Paolos në Brazil.
Pas arrestimit, prokuroria ka ngritur tre akuza ndaj tij. Ndërkohë një mjek po e ekzaminon sjelljen e shqiptarit.
Edhe pse ngjarja ka ndodhur para shtatë javësh, ajo tani është bërë publike. Ndërkohë hetimet për incidentin nuk kanë përfunduar plotësisht, çka ka habitur edhe mediat zvicerane.