Shqiptari sfidon epokën e smartfonëve me ‘Lahutën e Malcis’ në frëngjisht

Abidin Krasniqi, përkthyesi i “Lahutës së Malcisë” të Gjergj Fishtës në gjuhën frënge, flet për motivet që e kanë shtyrë të bëjë këtë punë kapitale për letërsinë dhe kulturën shqiptare

I lindur në vitin 1986 në Francë, nga nëna franceze dhe babai shqiptar i Kosovës (Sefo Beta Krasniqi, një regjisor dhe aktor i njohur i viteve `70 në Kosovë).

Ka studiuar fillimisht Juridikun, por pas vetëm një viti e ka braktisur.

Pastaj ka punuar dy vjet në fabrikë, ka udhëtuar rreth dy vjet si backpacker në Amerikë të Jugut, në Afrikë, në Indi, në Nepal, në Azi Qendrore… Më vonë, në Paris, ka studiuar sociologjinë, duke e kurorëzuar me master. Kjo është me pak fjalë CV-ja e Abidin Krasniqit. A ngjan kjo CV në biografinë e dikujt që do të sjellë “Lahutën e Malcis” në gjuhën e Molierit dhe Hygosë? Sigurisht që jo. Dhe pikërisht duke qenë i këtillë, atipik nga shumë aspekte, Krasniqi është më interesant për publikun dashamirës të letërsisë.

Albinfo. ka zhvilluar një intervistë me përkthyesin e talentuar, ku ai flet për shumëçka dhe sidomos për motivin që e ka shtyrë të përkthejë Fishtën në gjuhën frënge.

Albinfo.ch: Keni lindur në Francë, në një vend që konsiderohet qendra e kulturës botërore, ku kryqëzohen përvoja të ndryshme kulturore dhe ku lindin e vdesin “përdit” shkolla letrare.

Dhe, në këtë qendër kozmopolite, ju keni zgjedhur të përktheni “Lahutën e Malcisë”. Çfarë ju shtyri?

Abidin Krasniqi: Jam rritur i rrethuar nga librat. Babai im ishte i interesuar kryesisht për histori, por edhe për antropologji, etnologji dhe histori të feve. Ai ishte në gjendje të fliste disa gjuhë të gjalla dhe të lexonte disa të vdekura (mes tyre, greqishten e vjetër dhe latinishten). Nga të gjithë këta libra, disa ishin në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët. Mbaj mend disa vëllime me këngë kreshnike, “Albanesische Studien” të Johann von Hahn-it, ose “Studi speciali albanesi” nga Antonio Baldacci, etj.

Midis këtyre librave në gjuhën shqipe ose mbi shqiptarët, ishte “Lahuta e Malcis” e Fishtës. E lexova ndërsa isha ende fëmijë. Nuk kuptova gjithçka, natyrisht, por historia më mahniti.

Pothuajse njëzet vjet më vonë, ndërsa kërkoja diçka tjetër, hasa përsëri “Lahutën…” në bibliotekën universitare INALCO në Paris.

E lexova përsëri. Këtë herë, e kuptova më mirë se herën e parë. Dhe ajo më magjepsi si kurrë më parë! Ndërsa bëra disa hulumtime, pashë që Lahuta ishte përkthyer në italisht, gjermanisht dhe anglisht, por jo në gjuhën e Molière-it.

E gjithë kjo po ndodhte në fillim të vitit 2017. Një sëmundje e gjatë më kishte tronditur. Unë po mendoja se çfarë do të bëja në jetë pas një viti e gjysmë pa aktivitet. Përgjigja erdhi natyrshëm: Më duhet ta përktheja Lahutën! Unë isha një nga njerëzit e vetëm që mund ta bëja këtë punë pasi që e njihja edhe shqipen (për më tepër gegnishten) edhe frengjishten. Lexuesi francez duhej të njihte letërsinë tonë, kulturën tonë, civilizimin tonë.

Cili është formimi juaj artistik, letrar? Jeni marrë në përgjithësi me letërsinë si më i ri apo edhe më vonë?

Loading...