Shteg i ri turistik në Malin e Munellës

Në shtegun Kamëz-Qafë-Bari në Malin e Munellës u realizua udhëtimi i parë me guidë turistike. Udhëtimi i parë turistik në këtë shteg të veçantë për nga terreni dhe gjeografia e vendit u organizua nga High Albania Mountain Club me drejtues Fisnik Muçi. Në udhëtimin promovues morën pjesë dashamirës të natyrës dhe lartësive, udhëheqës turesh turistike, të rinj nga zona që përshkon ky shteg vizitorësh dhe specialistë të mbrojtjes së faunës dhe florës.

Munella, shtrihet në kufirin midis Pukës dhe Mirditës, që në majën e Kryqit arrin lartësinë më të madhe, 1996 metra. Shtrihet midis luginës së Fanit të Madh në veripërendim dhe Fanit të Vogël në juglindje. Zgjatimi i këtij mali që bie në sy ngado është 6 km në gjatësi dhe 3 kilometra në gjërësi. Pjesa kulmore ka sipërfaqe të valëzuar, kurse shpatet formojnë rrëpira. Munella është kurrizi që ndanë ujrat midis dy lumenjve Fan i madh Fan i Vogël. Ka pyll dushku dhe në lartësi mbi 1600 metra pyje pishe dhe ahu, kurse mbi këtë lartësi mali është i zhveshur nga pyjet. Pjesa e sipërme ka kullota alpine të begata. Si dhe ne vise të tjera malore të Mirditës ka një faunë të pasur, ka arinj, derra të egër, gjela ta egër e kafshë të tjera me gëzof, por mbi të gjitha rritet dhe ruhet Rrëqebulli i Ballkanit, një specie e rrallë dhe në rrezik zhdukjeje.
ATSH Nga Nikolla Lena

Loading...