Shtëpi e re dhe punësim për familjen Koçi

ryeministri Edi Rama ka vizituar banesën e Ilir Koçit në Marikaj të Vorës, një familje që jeton në varfëri ekstreme. Kreu i Qeverisë premtoi mbështetje për këtë familje, ndërsa nënvizoi se qeveria ka në plan ndërtimin e një qendre të madhe për mbështetjen e personave në nevojë.

Gjatë vizitës në këtë familje, Rama premtoi se do ndihmoj në punësimin e kryefamiljarit, teksa tha se do punohet edhe për të rregulluar shtëpinë. Gjatë vizitës, Rama ishte i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Olgerta Manastirliu.

“Familja përfiton nga skema e Ndihmës Ekonomike, përfshirë këtu dhe kompensimin e energjisë elektrike”, tha Manastirliu.

E zonja e shtëpisë tha se ka shtatë vite që jeton në atë banesë.

“Fillimisht ishim në tunel, por ka 7-8 vite që kemi ardhur këtu, ku kemi ngritur këtë barake”, u shpreh ajo. Kryefamiljari i familjes Koçi tha se ishte pa punë momentalisht, por më herët kishte punuar në ndërtim.

“Do ta ndryshojmë situatën tuaj, do të gjejmë një punë”, i tha Rama Kryefamiljarit. “Do ta zgjidhim edhe situatën e shtëpisë, do bëjmë dhe një ndërhyrje”, vijoi Kreu i qeverisë.

“Ne ja u kemi borxh mbështetjen njerëzve punëtor, të rregullt e të mirë. Ne kemi bërë një listë të personave dhe familjeve në varfëri ekstreme dhe nuk janë shumë në raport me pjesën tjetër dhe po hartojmë një plan për t’i ndihmuar e për të qenë pranë këtyre familjeve, duke i ndihmuar pak nga pak të gjithë. Ne kemi nisur të bëjmë një bashkëpunim  me ta (Organizata Fundjava Ndryshe). Do ndërtojmë një qendër të madhe për ndihmat për personat në nevojë. Po ashtu do transformojë dhe qendrën e Emergjencave. Në këtë jetë nevojat më të mëdha se mundësitë”, vijoi Rama./e.caushi/

TIRANË, 19 tetor/ ATSH- A. Fortuzi/

Loading...