Shtëpia Kallaratase në përrua të Gjorme qëndron ende kryelartë. Atje u lind dhe jetoi një nga figurat patriotike…

Një nga shtëpitë karakteristike kallaratase në Përrua të Gjorme. Sot, edhe pse kanë kaluar vite, ajo qëndron kryelartë, si pjesë e historisë, ku u lind dhe jetoi një nga figurat kryesore patriotike dhe arsimdashëse kallaratase dhe më gjerë, një nga mësuesit e parë në krahinë, Meçan Selami (Qejvani).

Nga familjarët, apo ndoshta nga struktura të tjera duhet të bëjnë diçka për restaurimin e kësaj ndërtese, sa nuk është vonë!

Po kush ishte Meçan Selami (Qejvani)?

Meçani u lind në Kallarat në vitin 1892. Pas mbarimit të shkollës fillore të Muradies në Vlorë, me porosi të Ismail Qemalit dërgohet në Korfuz për shkollim të mëtejshëm, bashkë me Halim Xhelon, si nxënës të shkëlqyer. Të mëkuar me ndjenja atdhetare, bashkë me Halimin më 1911 kthehen në atdhe dhe bashkohen me çetat e lirisë në luftë kundër pushtuesve turq.

Merr pjesë në ngritjen e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë më 1912 në Vlorë. Një nga mësuesit e parë të shkollës shqipe në krahinë. Mësuesi i parë ne Vranisht. Pjesëmarrës i qëndresës së kallaratasve kundër bandave shoviniste greke më 1913-1914.

Më 1919 është midis atyre që rrëzuan flamurin italian dhe ngritën flamur në shkollën e Kallaratit, akt për të cilin u arrestua dhe u internua në Itali. Anëtar i shoqërisë “Shtizat e Qytetërimit” dhe “Mbrojtja shkollore”, që drejtohej nga shoku i tij Halim Xhelua.

Në Luftën e Vlorës më 1920 ishte sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare” që kryesohej nga Osman Haxhiu, dhe delegat në Kongresin e Lushnjës.

Pas vitit 1920 vijon mësimdhënien në shkollat e Bregdetit. Pjesëmarrës i Revolucionit Demokratiko-Borgjez të Qershorit. Si antizogist, merr pjesë në Lëvizjen e Fierit më 1935.

Më 1941–1942 caktohet kryetar komune në Gostivar. Me fillimin e Lëvizjes Antifashiste, kthehet në vendlindje. Kryetar i këshillit antifashist nacionalçlirimtar të Kallaratit deri në mbarim të Luftës.

U nda nga jeta në vitin 1965.

Për veprimtarinë atdhetare, është dekoruar nga Kuvendi Popullor me një numër medaljesh e urdhrash, ndër to edhe me medaljen “Për Shërbime Patriotike”.

Marre nga Libri “Enciklopedia e Kurveleshit”

Loading...