Shtrenjtohet me 10-20% edhe çmimi i vezës, ja sa arrin…

Në dyqanet e produkteve ushqimore sot çmimi i vezës me pakicë është rritur 10.5% më shumë se javën e kaluar, duke reflektuar shtrenjtimin me 20% në tregun e shumicës. Çmimi i vezës arrin 21 lekë/kokërr nga 19 lekë që ishte më parë.

“Deri ditën e shtunë të javës të kaluar çmimi i vezëve me shumicë nga kompania jonë ishte 15 lekë/kokërr. Këtë javë çmimi i shitjes u rrit 20%. Veza u shit 18 lekë/kokërr. Deri javën e kaluar kemi përdorur rezervat ushqimore që janë blerë me çmim më të lirë . Për këtë arsye nuk kemi ndryshuar çmimin, me qëllim të mbronim konsumatorin. Tashmë prej 1 jave çmimet e lëndëve të para janë rritur me 54%. Çmimi i misrit ishte 37 lekë/ kg ka shkuar 58 lekë/kg. Soja ishte 95 lekë/kg ka shkuar 125 lekë/kg.

Vaji i sojës ( pjesë e bazës ushqimore për pulat) ishte 150 lekë/litër ka shkuar 300 lekë/litër. Çmimet janë rritur edhe për shumë produkte të tjera që kanë lidhje me bazën ushqimore. Energjia për biznesin e madh u rrit. Fatura e muajit janar është dyfish më e lartë se janar 2021. Nafta që ka lidhje me pjesën e shpërndarjes u rrit me 20-25%”, pohon z.Seraj.

Në këtë periudhë për prodhuesit e vezëve shqetësim nuk është vetëm shtrenjtimi i lëndëve të para, por mungesa e tyre në treg. “Nga Ukraina bëheshin furnizimet kryesore me misër për shkak të çmimit të leverdisshëm.

Mbyllja prej 1 jave e eksporteve të Serbisë na ka shtuar akoma më tepër vështirësitë për gjetjen e lëndës të parë. Kemi nisur furnizumet me misër dhe sojë nga Kanadaja dhe Amerika Latine, ku çmimet jo vetëm janë më të larta, por edhe koha e mbërritjes të tyre është e largët. Pavërsisht situatës po vazhdojmë furnizimet me çdo lloj kosto, që të mos preket prodhimi”, veçon drejtori i shitjeve të kompanisë “Ovvital”.

Lënda e parë e prodhimit të vezës dhe mishit të pulës zë 85% të kostove të tyre (35% e zë lënda e sojës, çmimi i së cilës është dyfishuar.) Rritja e lartë e çmimeve të lëndëve të para nisi që në muajin mars të 2021. Prodhuesit e vezës ngritën edhe vjet shqetësimin për dyfishimin e çmimit të sojës dhe misrit. Vjet 1 kg sojë u ble 90 lekë nga 55 lekë/kg që ishte para pandemisë.

Ndërsa misri vjet në mars u ble 200-250 euro/ton nga 150 euro/ton që shitej në 2019. Rritja e çmimit të vezëve ka qenë e herpashershme në treg, për shkak të shtrenjtimit të lëndëve të para.

Operatorët kryesorë të tregut të prodhimit të vezëve pohuan se çmimi i shitjes me pakicë nga fermat për shkak të shtrenjtimit të lëndëve ushqimore, në mars 2021 arriti 13 lekë për kokërr nga 9-11 lekë për kokërr që ishte para pandemisë./MONITOR

Loading...