Shumë bujë, shumë fjalë dhe dhjetëra versione të komentuara në prapaskenën e Festivalit të 58

Shumë bujë, shumë fjalë dhe dhjetëra versione të komentuara në prapaskenën e Festivalit të 58-të të RTSH-së në Pallatin e Kongreseve për fitoren e premtuar apo të merituar të Arilena Arës.

Sigurisht që do të shkaktohej zhurmë, përderisa regjisorja e këtij show televiziv është Vera Grabocka.

Nga mesnata e së dielës kujtojmë që Elvana doli e zhgënjyer pasi pritshmëritë për të fituar i kishte në maksimum dhe në momentin që u shpall e dyta, bojkotoi festivalin dhe u mbyll në një nga dhomat e zhveshjes pas skene, duke hezituar të kontaktonte me gazetarët apo të mund të fotografohej në ato momente.

Nuk dihet nëse është përlotur apo jo, por mes 12 finalistëve, ishte e vetmja që u largua në atë mënyrë.

Të pranishmit në skenë, në momentin që moderatorja Alketa Vejsiu përmendi emrin e saj në vendin e dytë, ajo zgjati kokën në mënyrë habie dhe ashtu vetëtimthi u largua duke refuzuar të shikonte rivalen te ngrinte kupën. Gjithashtu, nuk mori pjesë as në post-festival, ku ishin të pranishme Sara Bajraktari, fituese e vendit të tretë, dhe Arilena Ara, fituese e vendit të parë. E pyetur në këtë panel nga “Panorama” nëse Elvana ia kishte dhënë dorën Arilenës si fituese e Festivalit, Arilena u përgjigj me diplomaci: “Akoma nuk kam takuar mamin tim. Në atë moment të erren sytë, nuk e di as kë takon, as kë duhet të takosh. Kam respekt, e vlerësoj jashtë mase. Jam e lumtur për të gjithë koleget e mi”, tha ajo.

Por le të ndalojmë pak tek ajo çfarë ndodhi mes Arilenës dhe Elvanës me dyshen Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu në mes, para se të ngjiteshin në skenë. U përfol që Arilena, një produkt i Verës dhe Alketës si fituesja e “X Factor”, hyri në këtë produksion bashkë me dy “mamatë” e saj të karrierës, me qëllimin e vetëm për të fituar. Me një karrierë ndërkombëtare tashmë pas hitit “Nëntori”, Arilena ndihej gati që nëpërmjet Festivalit të RTSH-së të arrinte të prekte “Eurovizion”in, ndërkohë që ka shumë fansa jashtë Shqipërisë pas famës që mori në Rusi.

Dhe kështu përgatiti këngën “Shaj”, një krijim që tha se ia ka dedikuar vetes në momentet më të këqija të jetës. Deri këtu fitoren e kishte të sigurt, duke parë konkurrentë e tjerë që edhe pse mund të kishin këngë të goditura, nuk do kishin shansin ta fitonin këtë garë. Por s’kaloi shumë kohë dhe në “skenë” shfaqet Elvana Gjata me një këngë me motive etnike ku prezantohet si kantautore, projekt që ishte punuar në studion e “Poo Bear”, i famshëm në Amerikë për shumë hite ndërkombëtare. Kështu, futja e saj në garë i lëkundi pozitat e Arilenës, pasi parashikuesit po e ndanin fitoren mes të dyjave. Direkt pas shpalljes së Arilenës si fituese, u fol për një sherr të mundshëm mes dy mikeshave dhe bashkëpunëtoreve të vjetra, Vera Grabockës dhe Alketa Vejsiut.

“Më falni nëse ju kam zhgënjyer! Ti s’kishe nevojë për garë, jurinë nuk e zgjodha unë” ishte statusi i Alketës që e pozicionoi atë në krahun e Elvanës, duke ia lënë “Arilenën” si dopio gjashtë në dorë Verës. Edhe pse po komentohet për një prishje të marrëdhënies shumëvjeçare VeraAlketa, burime pranë tyre flasin për një “skenar përçarjeje” për të dalë kështu të lara me Elvanën, e cila po ashtu ka dalë me një kupë nga produksionet e tyre, atë të “Dancë with me”. Të detyruara nga fansat e shumtë të Elvanës, të cilët kanë kryqëzuar Arilenën, Alketa ka vendosur t’i japë Elvanës “kupën” e mediave të saj sociale, ku ka shumë e shumë ndjekës. Ajo përmendi jurinë në statusin e saj, ku tre të huajt votuan Elvanën dhe dy shqiptaret Arilenën. Kujtojmë që lufta e ftohtë me dy këngëtareve nisi ende pa filluar gara, pasi ato e injoruan njëratjetër duke mos shkëmbyer asnjë përshëndetje. Ende pa filluar gara, nisën të përfliteshin edhe emrat e pretendentëve për ta fituar këtë garë, pikërisht Elvana Gjata dhe Arilena Ara.

Elvana Gjata konkurroi në këtë garë me këngën “Me tana”, një projekt ritmik që e prezanton si kantautore me vargje e muzikë të krijuara nga ajo vetë. Ndërsa Arilena Ara me këngën “Shaj”, me muzikë të Darko Dimitrov e Lazar Cvetkovski dhe tekst të Lindon Berishës, i njëjti autor i hitit të saj “Nëntori”.

Direkt pas prezantimit të këngëve në “Youtube”, kënga e Elvana Gjatës e mundi Arilenën me klikime, pasi arriti të merrte 3,073,043 shikime, ndërsa e Arilenës 559,917 shikime. Klikimeve të këngëve nuk u munguan komentet e shumta, që ishin të mendimit se këtë herë Shqipëria nuk duhej të prezantohej në “Eurovision” me balada si ajo e ndjerë e Arilenës, pasi sipas komentuesve është koha që skenës së “Eurovision”-it t’i vihej flaka me një këngë ritmike si ajo e Elvana Gjatës. Dy pretendentet e përfolura më shumë për këtë fitore nuk kënduan në një natë, duke u prezantuar si dy rivalet dhe pilotet e dy skuadrave, pasi Elvanën e pamë natën e parë dhe Arilenën natën e dytë.

Dy këngëtaret që menaxhohen nga Andy Gram dhe Popi Kola e shmangën njëra-tjetrën në prova, duke i shpallur kështu luftë të ftohtë njëra-tjetrës. Të dyja ish-bashkëpunëtore të Flori Mumajesit, duket se nga shkolla e tij muzikore nxorën armët për t’u përballur në këtë garë dhe për të rrëmbyer kupën, që më në fund e fitoi Arilena, e cila do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian 2020. Elvana konkurron për herë të parë në këtë kompeticion, edhe pse afrimin e parë me ekranin e RTSH-në e pati gjatë “Etheve të së premtes”, ku tërhoqi vëmendjen jo vetëm me zërin, por edhe numrat e saj imitues ndaj personazheve të famshme.

Ndërsa Arilena ngjitet në atë skenë pas famës ndërkombëtare që mori me hitin “Nëntori”. Dimitris Kontopoulos, Christer Björkman dhe Felix Bergsson, si edhe dy anëtaret shqiptare të jurisë, etnomuzikologia Mira Minga dhe poetja Rita Petro, ishin pjesë e jurisë që “vulosi” fituesin e këtij edicioni.

Edhe këtë vit, fituesi, mes 20 artistëve të Festivalit të Këngës, u vendos me 100% vota të jurisë. Nga e gjithë kjo “luftë”, Arilena fiton dhe do të përfaqësojë Shqipërinë në “Eurovision Song Contest 2020”, që organizohet në Roterdam. E nga gjithë kjo histori nuk dihet nëse Elvana dhe Arilena do të bëhen ndonjëherë mikesha në jetën e tyre, por e sigurt është që Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu s’mund ta prishin kurrë miqësinë as për Arilenën, as për Elvanën. PANORAMA

Loading...