Shumë shpejt Vlora do të ketë muzeun e saj në zonën historike të qytetit

Shumë shpejt Vlora do të ketë muzeun e saj në zonën historike të qytetit, aty ku gjithashtu do të rivalizohet edhe merkato e vjetër e qytetit bregdetar.

Kështu deklaroi sot ministrja e Kulturës, Elva Margariti gjatë aktivitetit të organizuar sot në përfundim të rikonstruksionit të lagjes historike të qytetit të Vlorës, duke e kthyer nga një rrënojë e zhytur me dekada, nën pluhur e rrecka të vjetra harrese e dëshpërimi, në një tjetër zonë rrezatuese zhvillimi turistik dhe ekonomik, punësimi dhe shprese tek e ardhmja.

“Jemi këtu pas një pune shumë të gjatë, por që nuk mbaron këtu. Ky është vetëm fillimi për Vlorën. Vlora është histori, nuk është vetëm deti. Vlora është dhe vendi ku Ismail Qemali ngriti flamurin e pavarësisë. Këtë dimension historik të Vlorës, që ishte venitur prej shumë vitesh, ne po përpiqemi këtu, me këtë punë kolosale për të treguar çfarë është ky qytet. Për ta nxjerr në dritë nga hiri që e kishte mbuluar jo vetëm gjatë varfërisë gjysmë-shekullore, por dhe gjatë 30 viteve të fundit. Kjo zonë e qytetit, kjo perlë e vërtet, na është dashur që ta rikthejmë në këtë lloj forme përmes një aksioni shumë të vështirë. Nuk do ta kishim nisur dot këtë aksion kaq të vështirë, po të mos kishim pasur besimin e partnerit tonë, Fondi Amerikan i Zhvillimit, i cili na bashkohet në këto sfida, duke na shtuar kurajën dhe entuziazmin për të jetësuar këtë projekt kaq të rëndësishëm”-, theksoi Margariti.

“Ne nuk e stepëm kur nisëm prishjen e 20 strukturave pa leje në këtë zonë. Një punë kolosale që dukej si një ndërhyrje shumë e vështirë. Kur projekti ishte në letër, dukej një ëndërr e largët, teksa mendon se duhej ndërhyrë në 68 objekte, monumente kulture që duhej të rivitalizohenin. Dukej si një premtim elektoral, por ja ku jemi sot këtu dhe shohim se si i është kthyer identiteti këtyre monumenteve dhe ku kemi mbi 3000 metra katror investim. I dhamë jetë shtëpisë së “Marigos” dhe shumë veprave të tjera historike”-, tha Margariti.

“Ky është një model i mirë dhe për zonat e tjera që po marrin jetë. Kemi bërë punë të mëdha, por ka ende shumë për të bërë. Por mbi të gjitha këtë zonë po ja kthejmë komunitetit”-, theksoi ajo.

“Do ketë te tjera projekte, pasi Vlorës historike i mungon dhe një pjesë, ajo e muzeut, dhe jam e lumtur që të them që do e realizojmë pikërisht këtu. Ashtu si dhe merkato e vjetër që do të rivitalizohet shumë shpejt. Këto janë investime që bazohen në qëndrueshmërinë. Këto investime kthejnë sytë te ekonomia vendase dhe tek ajo tradicionale. Rilindja urbane është një filozofi, nuk është vetëm një makijazh, por i jep mundësi banorëve ta jetojnë dhe ta ndjejnë edhe më shumë qytetin e tyre. Kemi raste të ngjashme të këtyre projekteve, si Gjirokastra, Korça…etj”-, tha Margarita gjatë fjalës së saj.

Investimet në qendrën historike të Vlorës përfshin restaurimin e 68 banesave, mes të cilave, Shtëpinë e Marigosë, Xhaminë e Tabakëve, Rrugën e Hebrenjve, Sheshin e Sahatit dhe Shtëpinë e Qeverisë./atsh

Loading...