Dyshonte se e tradhtonte, masakron gruan me sëpatë pas drekës.
Lavdosh Sulo, 56 vjeç, banor i fshatit Babicë e Madhe, pas krimit makabër kërkoi që të lajmëronin Policinë për t’i treguar çfarë kishte ndodhur. Një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar mesditën e së martës në Vlorë.
Burri vret gruan pas një konflikti që nisi në momentet e konsumimit të drekës, ndërsa nga Policia konfirmohet se shkak i vrasjes është bërë një konflikt për motive xhelozie. Lavdosh Sulo qëlloi me mjete të forta, fillimisht me sëpatë bashkëshorten e tij, Laureta Sulo, 42 vjeçe, ndërsa më pas ka përdorur dhe mjete të tjera të forta. Nëna e dy fëmijëve u dërgua në spital, por ndërroi jetë vetëm pak minuta më pas për shkak të plagëve të rënda që kishte marrë në trup, por dhe fytyrë.
VRASJA
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00 të mesditës. “E vrava”, kanë qenë fjalët që vetë 56-vjeçari i ka thënë Policisë në telefon pak çaste pas ngjarjes, ndërsa uniformat blu kanë bërë arrestimin e tij. Gjithçka ka ndodhur në banesën e çiftit, shumë pranë servisit të automjeteve që ata kishin në pronësi, ku edhe punonin të dy. Çifti Sulo ka dy fëmijë, djalin 23 vjeç dhe një vajzë të mitur 12 vjeçe, të cilët nuk ishin në shtëpi në momentin e krimit. Policia ka mbërritur në vendngjarje disa minuta pas telefonatës së 56-vjeçarit dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë.
Sipas Policisë, mësohet se fillimisht Lavdosh Sulo e ka qëlluar bashkëshorten me sëpatë, ndërsa më pas me mjete të forta, duke i shkaktuar plagë të shumta, kryesisht në fytyrë, që tregon për një krim urrejtjeje ndaj gruas së tij. 42-vjeçarja nuk ka pasur asnjë mundësi për të shpëtuar, pasi dëmtimet e shkaktuara ishin vdekjeprurëse për të. Laureta Sulo u dërgua në Spitalin Rajonal të Vlorës në gjendje të rëndë, dhe ndërroi jetë vetëm disa minuta pas mbërritjes. Më pas, trupi i saj u dërgua për në morgun e spitalit, ku pritet të kryhet dhe autopsia.
HETIMET
Çifti kishte pasur konflikte, sipas Policisë, pikërisht për shkaqe xhelozie. Edhe në vitin 2012, mësohet se Lavdosh Sulo ka qenë i proceduar penalisht për dhunë në familje. Çifti kishte një servis automjetesh në afërsi të fshatit Babicë, ku punonin prej kohësh, ndërsa konfliktet e tyre lidheshin me dyshimet e 56-vjeçarit për lidhje jashtëmartesore të bashkëshortes së tij, e cila ishte rreth 14 vite më e re se ai. Edhe pas denoncimit të bërë 7 vite më parë, çifti Sulo mësohet se ka pasur vazhdimit konflikte.
Të afërmit dhe fqinjët thonë se sherret lidheshin pikërisht me dyshimet e 56-vjeçarit për tradhti. Zënkat mes tyre u agravuan pikërisht gjatë ngrënies së drekës, duke përfunduar me vrasjen e Laureta Sulos. I pari që mori vesh për ngjarjen, pas mbërritjes së Policisë në banesën e çiftit, ishte djali i tyre, i cili në gjendje të rënduar psikologjike bëri më faj Policinë për atë që kishte ndodhur. “E patë çfarë bëtë, ju e keni fajin, ju si shtet”, u shpreh 23-vjeçari, F. Sulo./panorama