SI KËNGË NË BUZË MBETE
–elegji kushtuar këngëtarit e rapsodit të Labërisë, Nertesi Asllani-
1.
U këput një burrë kënge,
Një penë artë Bolene,
Një që shkroi e këndoi,
Nëpër skena e bedene.
2.
Iku Nertesi Asllani,
Poeti që ligjëroi,
Hypur në krahët e këngës,
Nëpër këngë fluturoi.
3.
Iku si një këngë me iso,
Këngë mbushur me lirika,
Ay që malet këndoi,
Kërrabën shkruar me pika.
4.
Ay që këndoi culën,
Dhe çobanin në shullë,
Hamit Gugën një pëllëmbë,
Kurveleshin që s’vjen më.
5.
Për Labërinë këndoi,
Për gërxhe e bokërrima,
Pena e ngjyer në flakë,
Për Leskodukajt me trima.
6.
Bolenës i ndezi zjarre,
Në çdo udhë e në çdo derë,
Me këngën që e seliti,
Mbi borë derdhi pranverë.
7.
Për këngën i përvëluar,
Për mbi të gjë tjetër s’vuri,
Si shushërimë Shushice,
Nëpër këngë ndritur nuri.
8.
Ike, Nertesi Asllani,
Asllan i këngës me derte,
Një jetë për këngë u shkrive,
Si këngë në buzë na mbete.
vlorë; 26. 06. 2019