Nga. Genc Demiraj
Si në kohën e gomarit…
Nuk e kishim të lehtë, rreth 20 e ca vjet më parë, të gjenim një gomar me të cilin do të na duhej të xhironim disa skena. Donim të realizonim një reklamë ku midis të tjerave kërkonim të nxirrnim në pah atë ç’ka kish ndryshuar në ato momente, pra para reth 20 e ca vjetëve.
Dhe thamë se ja arritëm qëllimit. Gomarin e gjetëm, reklamën e bëmë dhe ndryshimet i nxorrëm në pah. Evoluim i madh.
Sot, pas rreth 20 e ca vjetësh, ndoshta mund të jetë edhe plotësisht e pamundur për të gjetur ndonjë gomar tjetër, pasi ne shqiptarët e kemi harruar me kohë veshëgjatin e ngrahtë.
I kemi këmbyer mjetet dhe modernizuar gjithëshka. Kemi ndryshuar pamjen, veshjen, të ushqyerin. Kemi shtuar konditat, kërkesat por edhe liritë. Pra me një fjalë kemi ndryshuar çdo gjë që ka të bëj me mënyren tonë të të jetuarit, të të punësuarit dhe të të pushuarit… Dhe vetëm kaq.
Kënaqemi me atë pak që gjithësejcilit i ka rënë për hise dhe pa e vrare shumë mëndjen që të mirat dhe mirësitë nuk kanë fund. Kënaqemi që këto ndryshime na i sollën idhujt tanë respektivë dhe për më shumë nuk e vrasim mëndjen. Nuk e vrasim mëndjen përderisa Ata, sipas ngjyrave të gjithësejcilit, i kemi në krye. Bëjmë tifo për ta, gëzohemi me pushtetin dhe pasuritë e tyre apo mërzitemi për deshtimet dhe paudhësite e tyre…
Në mënyrën tonë të të menduarit kemi mbetur si në kohën e atij gomarit të parë, të trashë dhe kokëgdhë…, nuk ndryshojmë për kiamet.
A nuk na thoshte Ai i atëhershmi, ti sulemi fshatit që ta bëjmë atë si qytetin ? Dhe ne pa e bërë dy, suleshim perpara !
Po këta të sotmit, a nuk na thanë ti sulemi qyteteve dhe ti shkretojmë fshatrat ? Dhe ne përsëri, pa e bërë dy…!
A nuk brohorasim edhe sot si atëherë pa dëgjuar dhe pa menduar asgjë…!
A nuk gënjehemi edhe sot që nga mëngjezi dhe deri në darkë, me suksese, arritje, fitore dhe ditë të bukura që do të vijnë dhe njesoj pastaj, si atëhere, na zë gjumi me ëndrat e gënjeshtrave që kemi dëgjuar !
Po a nuk i urrejmë njëlloj si më parë, armiqtë e Partisë dhe të shefit, dhe pastaj pa menduar, miqësohemi me po ata armiq, por kur është miqësuar më parë shefi dhe Partia !
… Kemi ndryshuar ne Shqiptarët në kondita, në tabjate dhe vese, kemi ndryshuar në veshje dhe ndoshta edhe në pamje… Por në mënyrën e të menduarit kemi mbetur si në kohën e gomarit.