Është publikuar video që tregon se si nisi përplasja mes shqiptarëve dhe tifozëve holandezë dy ditë më parë, tek 9-katëshi.
Në videon më poshtë shihen holandezët në bar-kafe, ku një person u afrohet duke shkëmbyer disa fjalë.
Pas këtij momenti, 2 shtetas holandezë çohen nga tavolina dhe aty fillon dhe përplasja e ashpër fizike. Sherri ka degjeneruar dhe me përdorimin e karrigeve të lokalit.
Si pasojë e këtij sherri u arrestuan dy tifozë holandez, ndërsa shtetasi me inicialet A.G, përfundoi në spital menjëherë pas sherrit. Ai u pa i shtrirë në tokë pasi ishte qëlluar me karrige në kokë, ndërsa sipas dëshmitarëve kishte qenë duke kënduar dhe himnin e Romës ndaj holandezët e rrahën.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve D. B., 23 vjeç dhe D. H., 21 vjeç, banues në Holandë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, kryer në bashkëpunim.
Këta shtetas, më datë 24.05.2022, në Rrugën e Barrikadave, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë, ende të paidentifikuar, kanë goditur me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasin A. G., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia e Tiranës.