Si shitet margarina me yndyrë bimore për gjalp – AKU sekuestron 47 tonë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka sekuestruar 47 tonë margarinë, ndërsa janë vendosur tetë gjoba me vlerë totale 2.9 milion lekë, pas zbulimit të një skene mashtrimi se si margarina në treg shitej për gjalpë.

Në një postim në facebook, AKU sqaron se skema e mashtrimit fillon nga importuesi, ku ky i fundit importon produktin nga Ukraina me mangësi në dokumentacionin shoqërues si certifikatë sigurie ligjërisht të pavlefshme.

Më pas në doganë produkti kalohet si yndyrë bimore pa cilësuar nëse është vaj palme apo soje dhe zhdoganohet si margarinë. Me pas importuesi e ambalazhon yndyrën bimore në pako të vogla duke e prezantuar në etiketë si gjalpë, me origjinë nga Gjermani, ndërsa i modifikohet edhe data e skadencës.

Margarina në vendin tonë futet me 140 lek kilogrami, më pas importuesi dhe ambalazhuesi i shtojnë secili nga 100 lek për kilogram.

Çmimi final i margarinës tek konsumatori vjen me 529 lekë kilogrami. Ndërkohë që gjalpi i vërtetë në treg kushton nga 800 deri në 1000 kilogrami.

“Skema e mashtrimit ushqimor zbuluar nga 5 inspektime të AKU-së. Si shitet margarina me yndyrë bimore për gjalp. Me ndryshimet në Kodin Penal kushdo që tenton të abuzojë me sigurinë ushqimore do të marrë ndëshkime të ashpra. S’ka vend për abuzuesit, as nga radhët e inspektorëve tanë dhe as nga operatorët e biznesit ushqimor. Ju ftojmë të jemi bashkë në këtë angazhim madhor”, shkruan AKU.

Loading...