Nga Daniel Lavelle
Aleks Mylen, zotëron një talent të jashtëzakonshëm:pas vetëm 16 sekondash këqyrjeje të një palë letrave të bixhozit, ai mund të kujtojë me saktësi radhën e tyre. Studenti 26-vjeçar i mjekësisë, nisi të përdorte teknika të forcimit të kujtesës, si një lloj ndihme në realizimin e diplomës së tij universitare.
Por, ai përparoi kaq shpejt, sa që nisi të merrte pjesë në gara të këtij lloji, duke u shpallur kampion botëror i Shoqatës Ndërkombëtar të Kujtesës në vitin 2015. Në këto lloj kampionatesh që mbahen çdo muaj dhjetor, “atletët e kujtesës” konkurrojnë për të kujtuar sa më shumë, dhe në një kohë më të shkurtër kategoritë që përfshijnë tabela, emrat, fytyrat dhe data të ngjarjeve historike.
Njerëzit si Mylen ngrenë pyetje të rëndësishme, në një botë ku bazat e të dhënave digjitale, fuqitë e ruajtjes së të cilave janë shumë më të mëdha se tonat, po sfidojnë gjithnjë e më shumë kujtimet njerëzore. Nëse nuk kemi më nevojë për të mbajtur një shënim mendor të fakteve, figurave apo datave, a mund ta humbim aftësinë tonë për të ruajtur informacionin?
Ne e dimë se truri është i lakueshëm. Një studim në vitin 2000 tregoi se hipokampusi, një rajon i trurit që luan një rol të rëndësishëm në kujtesë, ishte më i madh tek shoferët e taksive në Londër sesa tek qytetarët e tjerë, ndoshta sepse ata janë të detyruar të mësojnë dhe ruajnë “njohuritë” – rrugët me më pak trafik nëpër kryeqytet.
Ema Uard, lektore e psikologjisë në Universitetin Midëlleseks, thotë se interneti nuk ka qenë një pjesë integrale e jetës sonë për një kohë të mjaftueshme, që shkencëtarët të kuptojnë plotësisht efektin e tij afatgjatë në trurin e njerëzve. Ajo shton:”Ka dëshmi se stërvitja e kujtesës është diçka e dobishme – dhe vetë ideja prapa kësaj është praktika dhe testimi, në mënyrë që rrugët nervore të forcohen.
“Dikush mund të thotë se sa më shumë që bëhemi të ndërvarur nga ndihmat e kujtesës dhe teknologjia si përkujtuese, aq më pak efikase do të bëhen proceset tona të kujtesës. Vitet e ardhshme, do të jetë interesante të shihen efektet mbi kujtesën dhe aftësitë njohëse të fëmijëve, që u rritën me një teknologji të tillë të gjërave të gatshme”- thotë ajo.
Edhe Din Barnet, neuroshkencëtar, beson se kujtesa duhet të stërvitet. “Është një funksion biologjik, si shumica e të tjerëve, dhe mospërdorimi i saj do të thotë se është më pak i fuqishëm dhe më pak i besueshëm, se sa dikush që e përdor shpesh. Kujtimet janë në thelb lidhje ndërmjet neuroneve, dhe ka një dakordësi mes studiuesve që për t’i mbajtur këto lidhje të paprekura, ato duhet të ‘aktivizohen’ rregullisht”- thekson ai.
Megjithatë, ai është kundër kundër idesë se ne jemi “duke humbur” kujtimet tona:”Nuk është se ato zhduken, degradojnë apo diçka e ngjashme. Thjesht truri ynë ka më shumë vështirësi, për t’i gjetur ato nëse përdoren rrallë”. Teknologjia e sotme, mund të ndikojë mbi ne në mënyra më delikate, mendon Uard.
Ajo citon një studim, në të cilin pjesëmarrësve iu tregua nga një fotografi e montuar e vetes së tyre si fëmijë, në balona me ajër të nxehtë, të cilët më vonë u “kujtuan” se ishin një ngjarje e rreme. “Kujtimet nuk janë tamam ai arkivat. Truri ynë përshtatet shumë me atë që përjetojmë, në mënyrë që të kemi një ndjesi të botës rreth nesh, dhe kujtimet tona janë mjaft shpesh përfaqësime apo shtrembërime të realitetit. Bombardimi me sasi të mëdha informacioni dhe fotosh online, mund të krijojë ato që ne i quajmë kujtime të rreme”.
Për shembull, të kapësh momentet më të bukura të pushimeve verore në smarfonin tuaj mund të jetë diçka komode, por eksperimentet kanë sugjeruar që nëse e bëni këtë, nuk i kushtoni vëmendje mjedisit përreth. Nëse jeni i hutuar, rrugët nervore në tru nuk ushtrohen në një mënyrë që do të forconte kujtesën, duke e lënë atë të pambrojtur ndaj shtrembërimit.
Nuk është një lajm i keq mbështetja jonë tek Google, për të mësuar mbi çështje të ndryshme. Studime të tjera, kanë treguar se nga kjo praktikë mund të përfitojë kujtesa jonë afatshkurtër, dhe ndërkohë që zgjidhim problemet. Geri Smoll, profesor i psikiatrisë dhe shkencave bio-zbavitëse në Universitetin e Kalifornisë, zbuloi se aktiviteti nervor u rrit në mesin e të moshuarve, pasi ata kishin kaluar një javë duke kërkuar gjëra të ndryshme në internet.
Teknika më e zakonshme e përdorur nga atletët e kujtesës është “metoda Loci”, e njohur ndryshe nga fansat e serialit televiziv “Sherlok Holms” si ‘pallati i kujtesës’. Ideja është që kur memorizoni një listë gjërash, ju ta lidhni lidhni një imazh me çdo element mbi të.
Imazhet, të cilat mund të jenë absurde, vendosen pastaj në dhomat e “pallatit” tuaj, i cili zakonisht është shtëpia juaj, ose një godinë tjetër e njohur. Për të kujtuar listën, imagjinoni
sikur po ecni nga njëra dhomë në tjetrën. Keti Kermode, nga Çeshajër, mban 2 rekorde botërore:memorizimin e 105 emrave dhe fytyrave në 5 minuta, dhe për memorizimin e 318 fjalëve rastësore në 15 minuta.
“Unë kryej një udhëtim mendor përreth shtëpisë sime dhe shtëpive të tjera ku kam jetuar. Vendos 2 fjalë në çdo dhomë, dhe i shoqëroj ato dy fjalë në një mënyrë vizuale”- thotë ajo. Boris Nikolai Konrad, neuroshkencëtar me banim në Holandë, i cili gjithashtu është një atlet rekordmen i kujtesës, që thotë se ka “60 ose 70” pallate kujtese.
Por ai përdor një teknikë të ndryshme për të mësuar përmendësh vargjet e gjata të numrave, duke krijuar një imazh për çdo 2 shifra në atë që njihet si një kujtim i skemës person-veprim-objekt. Për shembull numri 19, mund të përfaqësohet nga një gjirafë (personi) që ha (veprimi) nga një pemë e gjatë (objekti).
Ndërsa një imazh pason një tjetër, ndërtohet një histori ose udhëtim, që e ndihmon dikë të kujtojë të gjithë serinë e gjatë të numrave. Ndërkohë neuroshkencëtarja Suzan Grinfilld, argumenton se fëmijët duhet të mësohen të bashkojnë pikat, dhe jo vetëm t’i kujtojnë ato.
Ajo pyet:”Çfarë është më e rëndësishme? Të mbash mend datën e një beteje, apo të kuptosh se pse kjo betejë është e rëndësishme? Ne nuk duhet t’i ngatërrojmë kujtimin e disa datave me të kuptuarit”- shton ajo.
Edhe kampionët e kujtesës, pranojnë se aftësitë e fituara me vështirësi, kanë kufizimet e tyre. Myllen dhe Kermod, thonë se nëse ata nuk praktikojnë disa nga aftësitë e tyre, ato fillojnë të zbehen me kalimin e kohës – dhe kanë ende rregullisht gabime në kujtesë.
“Pavarësisht se mund të mësoj përmendsh emrat nëpër gara, unë i harroj ato në jetën reale. Të nesërmen, jo vetëm që harrova emrin e dikujt që takova, por nuk isha e sigurt nëse ishte madje i njëjti person”. Megjithatë, ka një përfitim që madje edhe skeptikët nuk mund të mos joshen. “Stërvitja e kujtesës më ka ndihmuar të kujtoj më shpejt, se ku i vendos çelësat e mi të shtëpisë apo makinës” -thotë Kermod.
Marrë me shkurtime nga The Guardian – Bota.al