KUR NISI ALEANCA?
Marrëdhënia shkon pas në kohë në fundin e viteve 1930, menjëherë pasi Abdul Aziz ibn Saud konsolidoi fiset ndërluftuese arabe në një Mbretëri. Kompanitë energjetike amerikane kishin zbulluar naftë në Gadishullin Arabik, dhe i kërkuan qeverisë së tyre që të promovonte interesat e tyre, me monarkun e ri. Në vitin 1945, Presidenti Franklin Roosevelt u takua me Mbretin Abdul Aziz në bordin e një anije amerikane në kanalin e Suezit, dhe të dy u përshtatën mjaft mirë. Roosevelt i dha mbretit që kish probleme shëndetësore një prej karrikeve të tij me rrota, të cilën më pas mbreti e quajti “zotërimin më të çmuar që kam”. Roosevelt u sigurua që SHBA dhe jo Britania e Madhe, do të kontrollonte naftën në Arabinë Saudite. Në këmbim, SHBA do të ofronte siguri për mbretërinë: Brenda pak vitesh, pranë vendburimeve të naftës u ngrit një bazë ushtarake amerikane. Me kalimin e dekadave, marrëveshja naftë për siguri është bërë jetike për të dy vendet. Arabia Saudite është sot klienti më i madh i industrisë amerikane të mbrojtjes, teksa vetëm gjatë administratës Obama ka blerë armë me një vlerë totale prej 112 miliard dollarësh.
A ESHTE LEKUNDUR NDONJEHERE ALEANCA?
Embargoja e naftës e vitit 1973 ishte një moment i vështirë. Për një vit, sauditët ndërprenë shitjet tek SHBA, si kundërpërgjigje ndaj mbështetjes që Amerika i dha Izraelit në luftën e Yom Kippurit. Por të dy vendet u ripajtuan, teksa i ribashkoi kundërshtimi ndaj Bashkimit Sovjetik. Edhe sulmet e 11 shtatorit nuk e dobësuan lidhjen mes tyre. Udhëheqësi i Al Kaedës, Osama bin Laden dhe 15 nga 19 rrëmbyesit e avionëve që goditën Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonin, ishin nga Arabia Saudite, dhe opinioni publik në SHBA reagoi me forcë, pasi nënshtetas sauditë u lejuan të hyjnë në SHBA menjëherë pas sulmit – para se FBI t’i intervistonte. Por presidenti Bush, familja e të cilit kishte marrëdhënie të kahershme biznesi me sauditët, i qëndroi aleancës, dhe në vitin 2005 ai u fotografua i kapur dorë për dore me princin e atëhershëm të kurorës, Abdullah. Në dekadën pas 11 shtatorit, sauditët shpenzuan më shumë se 100 milionë dollarë për marrëdhëniet publike me SHBA, duke u përpjekur të eleminojnë imazhin e vendit si eksportues terrorizmi.
A ESHTE I VERTETE KY IMAZH?
Po. Disa dekada më parë, monarkia saudite bëri një ujdi të heshtur me islamistët radikalë në vend: Ajo do të financonte përhapjen e vahabizmit, forma saudite e Islamit ultrakonservator, si dhe xhihadizmit përreth botës, sa kohë që radikalët nuk do të hidhnin në erë shënjestra brenda Arabisë Saudite. Paratë saudite financuan militantë islamikë në Afganistan, Pakistan, Bosnje, dhe provincën ruse të Çeçenisë. Pas 11 shtatorit, zyrtarët sauditë pretenduan se e kishin mbyllur rubinetin e parave. Por kabllogramet e fshehta diplomatike amerikane, të publikuara në 2009 nga Uikiliks, thoshin se Arabia Saudite “mbetet një bazë jetike e mbështetjes financiare” për al Kaedan, talebanët dhe grupin terrorist pakistanez Lashkar-e-Taiba, si dhe grupin terrorist palestinez Hamas, duke u dhënë atyre “miliona dollarë çdo vit”.
PO TE DREJTAT E NJERIUT?
Me formën e vet drakoniane të Ligjit të Sharias, qeveria autokrate e Arabisë Saudite renditet vazhdimisht mes më të këqiave sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Sistemi i vet i aparteidit gjinor i konsideron gratë nënshtetase të dorës së dyte – të mbështjella nga koka tek këmbët, të varura nga mbrojtësit meshkuj, dhe kryesisht të ndaluara që të dalin vetëm dhe të marrin pjesë në cilëndo formë të jetës publike. Nuk ka liri feje, dhe shtypi është i censuruar. Rrahjet brutale me kamzhik në publik dhe vrasjet me gurë janë dënimi për krime të tilla si tradhëtia apo femohimi. Të arrestuarit torturohen për të rrëfyer. Vitin që kaloi, Arabia Saudite dënoi me vdekje 146 persona për krime që përfshinin vrasje dhe trafik droge; shumica e ekzekutimeve ishin me prerje koke.
INTERESI I SHBA?
Nafta saudite, sigurisht, edhe pse vitin e kaluar ajo zinte vetëm 9% të asaj që përdori SHBA, për shkak të revolucionit të naftënxjerrjes në tokë amerikane. Me më shumë rëndësi strategjike sot është roli i rëndësishëm i sauditëve në kundërpeshimin e Iranit. Që nga viti 1979 dhe Revolucioni Islamik, kur mullahët iranianë morën peng diplomatë amerikanë, SHBA e ka parë Iranin si aktorin më të rrezikshëm në Lindjen e Mesme. Arabia Saudite, e cila praktikon Islamin sunit, i kundërvihet ndërhyrjeve të teokracisë shiite iraniane në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, duke përfshirë Sirinë, Libanin dhe Jemenin. Kohët e fundit, sauditët kanë nisur të bashkëpunojnë me aleatin tjetër të Amerikës në Lindjen e Mesme, Izraelin, sepse të dy vendet e shohin Iranin si rrezik ekzistencial.
NDIKIMI I TRUMPIT
Presidenti i SHBA ka marrëdhënie të kahershme biznesi me sauditët; sipas atij vetë, u ka shitur milionia dollarë pasuri të paluajtshme. “A duhet që të mos i pëlqej?”, tha ai ndërkohë që bënte fushatë për president. “Mua më pëlqejnë shumë”.
Që kur mori detyrën, ai e ka shndërruar në prioritet aleancën me sauditët; udhëtimi i tij i parë jashtë vendit ishte në Riad. Dhëndrri i Trumpit, Jared Kushner u afrua menjëherë me një prej bijve të mbretit saudit, Mohammed bin Salman, dhe administrata mbështeti fuqimisht ngritjen e Mohammed si princ kurore vitin e kaluar, duke e parë atë si reformator që ka për qëllim modernizimin e vendit. Por kongresi nuk e ka me aq sy të mirë. Vrasja e Jamal Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll muajin e kaluar, bëri Senatin që t’i kërkojë presidentit të identifikojë brenda katër muajsh se cilin individ duhet të sanksionojë SHBA. “Në momente si ky, duhet të përqafosh vlerat e tua”, tha Lindsey Graham në Senat. “Nuk ka më ndërveprime transaksionesh”.
Bota.al