Kulla e Katedrales së famshme të Parisit, Notre Dame, është rrëzuar pasi një zjarr i madh shpërtheu pasditen e së hënës.
Sipas “Le Monde”, zjarri nisi në papafingon e monumentit përpara se të përhapej në çati. Autoritetet thonë se flakët mund të kenë nisur si pasojë e punimeve të restaurimit që po kryen aktualisht në Notre Dame.
Kryebashkiakja e Parisit Anne Hidalgo shkruante në Twitter: “Një zjarr i tmerrshëm ka përfshirë katedralen Notre Dame në Paris, ndërsa zjarrfikësit janë duke u përpjekur të kontrollojnë zjarrin.
Ne jemi mobilizuar në nivel lokal në lidhje të ngushtë me autoritetet e kishës. U kërkoj të gjithëve që të respektojnë perimetrin e sigurisë“.
Katedralja mesjetare përfundoi së ndërtuari në shekullin e 13-të dhe sot, konsiderohet po aq kryevepër arkitekture, sa edhe një simbol fetar. E vendosur në Île de la Cité, një ishull i vogël në mes të qytetit, katedralja është një nga objektet më të njohura turistike të Parisit dhe tërheq rreth 13 milionë vizitorë në vit.
Në vitin 1160, për shkak se kisha në Paris ishte bërë “Famulli e mbretërve të Evropës”, peshkopi Maurice de Sully e cilësoi katedralen e mëparshme të Parisit, Saint-Étienne e cila ishte themeluar në shekullin e 4-të, si të padenjë rolin e saj të lartë dhe e kishte prishur menjëherë pas marrjes së titullit të peshkopit të Parisit.
Për të filluar ndërtimin, peshkopi kishte shembur disa shtëpi dhe kishte ndërtuar një rrugë të re për të transportuar materiale për pjesën tjetër të katedrales. Ndërtimi filloi më 1163 gjatë mbretërimit të Louis VII, por ka diskutime të ndryshme nëse Sully ose Papa Aleksandri III hodhi gurthemelet të katedrales. Ndërtimi i katedrales përfundoi në vitin 1345.
Ndërtimi i saj edhe sot shihet si një nga arritjet më të mëdha të arkitekturës franceze të stilit gotik. Katedralja ishte pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s, por francezët e kishin ruajtur atë jashtëzakonisht mirë. Shumica e dritareve ishin origjinale dhe që nga shekulli i XIII kishte parë vetëm ndryshime të vogla.
Katedralja, mbi 100 metra e lartë, dallohej veçanërisht për 3 fasadat e saj të mëdha, ku janë gdhendur pamje e figura që ilustrojnë temat kryesore teologjike dhe tregime biblike. Për arsye të arkitekturës, Katedralja Notre-Dame vazhdonte të ishte një destinacion i rëndësishëm turistik për njerëz fetarë ose laikë.
Një nga shembujt më të shkëlqyer të artit gotik-klasik, katedralja ishte 130 metra e gjatë, 48 e gjerë, 36 e lartë nga brenda, ndërsa nga jashtë, 69 metra. Ajo mund të zinte 6550 persona.Katër rozonet, lule të mëdha prej guri e qelqi, me diametër trembëdhjetë metra, mbi një balaustër 7-metrash, ishin kryevepra të papërsëritshme.
Lakueshmëria e plumbit u krijon vetratave mundësinë t’i bëjnë ballë erës, ndërsa struktura e fuqishme prej guri e prej hekuri e mbante prej shekujsh gjithë peshën e ndërtesës.
Katedralja kishte 10 kambana, më e madhja, Emmanuel është vendosur në kullën jugore dhe peshon pak më shumë se 13 ton dhe është ngarkuar për të shënuar orët e ditës dhe për raste të ndryshme dhe shërbime. Kjo kambanë gjithmonë bie e para, të paktën 5 sekonda para pjesës tjetër./Opinion