Siguria ushqimore në Shqipëri, më e lartë se asnjëherë tjetër

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “siguria ushqimore në Shqipëri është më e lartë se asnjëherë tjetër krahasuar me dje, dhe krahasuar me ku duhet të jemi, ka shumë më tepër akoma për të bërë”.

Në fjalën e tij në prezantimin e buxhetit të bujqësisë në Ibë, Kryeministri Rama theksoi se “më shumë se asnjëherë më parë ata që ishin mësuar t’ia hidhnin vazhdimisht konsumatorit janë vënë në alarm. Më shumë se asnjëherë më parë disa pasqyra të kazanit mediatik janë paguar për të sulmuar Agjencinë Kombëtare të Ushqimit dhe për të propaganduar raste pasigurie të mëdha apo raste me demek korrupsioni”.

“E vërteta është që koha e tyre nuk është më ajo që ishte, ka ndryshuar. Ne jemi në një betejë frontale për të garantuar siguri të plotë ushqimore. Në këtë betejë ka ende plot për të fituar në terrenin e sigurisë, pa diskutim gjatë zhvillimit të kësaj beteje ka edhe më shumë evidentim të rasteve të pasigurisë ushqimore, ashtu si edhe ka më shumë evidentim të rasteve të korrupsionit brendapërbrenda Agjencisë në nivelet e inspektorëve, por të gjitha këto janë thjesht e vetëm tregues i faktit që prej një viti po zhvillohet një luftë e vërtetë në terren, për të siguruar sigurinë ushqimore dhe kjo luftë do të vazhdojë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “dua t’u them të gjithëve se përtej atyre që shikojnë në ekranet e televizioneve, jo gjithmonë janë të pavërteta, jo gjithmonë janë shpifje, jo gjithmonë janë gënjeshtra apo manipulime të opinionit publik, për llogari të lobeve dhe të pagesave të marra nën dorë për të sulmuar AKU-në, Ministrinë, ka dhe raste mirëfilli problematike të pasigurisë ushqimore”. /atsh

Loading...