Nga Ilir Metaj
Zoti paste meshire per ne!
Sikur ne t’i lejojmë të jenë fëmijë, të rriten duke e shijuar e shënjuar fëmijërinë e duke kënduar “malet me blerim mbuluar”…
Sepse fëmijët tanë, duke kaluar përmes fëmijërisë, duhet të mekohen me çdo pikëz të qumështit të historisë, me çdo pikëz të legjendave të Mujit e Halilit, me çdo pikëz të Kalasë së Rozafës dhe, patjetër, me çdo pikëz nga Uji i Nënë Pashakos.
Sepse fëmijët tanë do t’ia hapin Zotit portën e Shqipërisë për t’i marrë bekimin, nëse edukohen se janë pasardhës të heronjve të çdo epoke, që nga Teuta, deri te Skënderbeu, që nga Shote Galica e deri tek Qemal Stafa.
Por, ç’po ju bëjmë ne fëmijëve tanë, në këtë tokë ku Shqipëria nuk e do Zotin, ndërsa Zoti përpiqet ta dojë Shqipërinë?
Ooo, po ne kemi stilin tonë: ne fëmijët tanë, ashtu si veten tonë, i lyejmë, i ngjyejmë, i veshim si gra të vogla që nuk kanë kohë të jetojnë kurrë fëmijërinë, i mësojmë si të ecin duke u përdredhur nëpër pasarela mode dhe, natyrisht, nuk harrojmë t’ju bëjmë foto ndërkohë.
Na duhet t’i hedhim në FB për të marre ca “like” nga shoqet laraska të Shqipërisë që nuk e do Zotin.
Pastaj, i dëgjojmë tek përdorin fjalor halabakësh dhe duke qeshur me krenari iu fërkojmë kokën sepse “ka bo baba çun”.
Fëmijët tanë nuk njohin ç’është emocioni prej patriotizmit. Fëmijët tanë nuk njohin ç’është dëshmori i lirisë.
Fëmijët tanë kur shohin foton e monumentit “Nënë Shqipëri” e quajnë “Statujën e Lirisë”. Atë po, e njohin se e shohin në I-phone.
Nuk kanë faj, babi apo mami, nuk i ka çuar ndonjëherë për vizitë në varrezat e dëshmorëve.
Të mjerët fëmijët tanë që ju ranë për pjesë prindër si ne. Prindër pa histori e, ndoshta, edhe pa atdhe. Sepse ashtu si një tatuazh me emrin e dashurisë së parë, e kemi rrjepur me gjithë lëkurë çdo gjurmë të historisë nga vetja jonë.
Po, sepse ne jemi bërë trendy…. Dhe çdo trendy nuk ka identitet.
Të shkretët fëmijët tanë! Të keqpërdorurit e mëdhenj të paaftësisë, injorancës, dembelizmit, mendjengushtësisë, servilizmit dhe gjithë kompleksit tonë që buron prej secilës nga këto cilësi.
Por kjo nuk na bën përshtypje! Jo, përderisa të paktën këtu ka një miratim në heshtje nga të gjithë, një konsensus mes kriminelesh.
Dhe për sa kohë ndjehemi të gjithëpërlyer në këtë krim që po ju bëjmë fëmijëve tanë, asgjë për t’u shqetësuar nuk ka. Të gjithë kujdesen të mos prishet konsensusi, i vetmi konsensus i shqiptarëve të Shqipërisë që nuk e do Zotin. Kujdes, të mos guxojë dikush ta prishë!
P.sh., mos o Zot që ndonjë teveqeli t’i shkojë mendja të çojë fëmijën me lule në varrezat e dëshmorëve.
Pu-pu-pu!
Mos të flasim pastaj që ndonjëri ka parë ndonjë film dhe nderon me grusht atje. Sakrilegj! Jashtëzakonisht i madh!
Nuk ka krahasim me asgjë, as me rrjepjen nga lëkura jonë të historisë. Jooo!
Fëmijët tanë më mirë të jenë steril, kristale të vegjël “swarovski” me I-phone në duar. Krijesa amorfe tonat, që për t’u bërë konsensualë duhet të bëhemi pa identitet.
Të mjerët fëmijët tanë, që ju ramë ne si prindër për pjesë!
Patriotizmi?! Po ai nuk është në modë.
Zoti e bekofte Shqiperine!
Zoti paste meshire per ne.