Sipërmarrësit belgë janë të interesuar për investime në Shqipëri

Një grup sipërmarrësish belgë do të vizitojnë Shqipërinë për të parë mundësitë e investimit të kapitaleve të tyre.

Kjo u konfirmua gjatë takimit të Kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka me ambasadorin e Republikës Federale të Belgjikës, Francois Bontemps.

Mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve ishin pjesa kryesore ku u fokusua takimi. Bontemps tha se Shqipëria është vendi i katërt së bashku me Maqedoninë e Veriut, Bullgarinë dhe Kosovën, që i ka në misionin e tij si ambasador.

Ai nënvizoi faktin që në Bullgari dhe në Maqedoninë e Veriut janë shumë kompani investuese belge, ndërsa në Shqipëri këto kompani mungojnë.

Bontemps specifikoi që ai është përgjegjës për anën ekonomike dhe politike, ndaj kërkoi të promovojë dhe iniciojë marrëdhënie midis palëve të interesuara.

Ambasadori belg tha se, një klub belg është i interesuar për të zhvilluar një takim disaditor në Shqipëri në muajin maj.

“Një grup prej 15 personash do jetë prezent që nga data 16 maj në Shqipëri. Ata i përkasin sektorëve të tillë si prodhim tekstile, rroba profesionale (jo fashion) dhe tapete; shërbim ndërtim, shtrim trotuaresh, tulla, pajisje (sidomos kuzhine) instalime elektrike”, tha ambasadori, duke shtuar se “kjo është vizita e parë në Shqipëri që pritet të realizohet nga sipërmarrësit belgë”.

Jaka e falënderoi ambasadorin belg për iniciativën e drejtpërdrejtë për të bërë diçka konkrete në nxitjen e iniciativave, duke theksuar se “biznesi është operativ dhe vlerëson çdo iniciativë konkrete dhe të prekshme për bashkëpunimin ekonomik”.

“Është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet e mira politike të shfrytëzohen, aq më tepër që Belgjika ka një numër të kënaqshëm investimesh në rajon të cilat mungojnë në vendin tonë”, u shpreh Jaka. /atsh/

Loading...