Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako, deklaroi sot nga Dukati në një intervistë televizive se, janë 3 helikopterë që po operojnë sot dhe 500 efektivë të Forcave të Armatosura për shuarjen e vatrave të zjarrit.
“Jemi në operacion, do të vazhdojmë me të gjitha mjetet e mundshme, me të gjitha strukturat e njësive vendore, siç e shihni edhe me helikopterë por edhe me mjete të tjera tokësore. Kemi marrë masa për të parandaluar dëmin e shkaktuar në banesa apo edhe për të mos depërtuar në pjesë të tjera”, tha ai.
I pyetur nëse helikopteri është ngritur me vonesë, Çako tha se, “nuk është ngritur me vonesë ka ditë që operon nga toka, nga ajri dhe me të gjitha mjetet e mundshme”.
Çako u shpreh se “në përgjithësi situata është nën kontroll me përjashtim të zjarrit këtu, i cili ka marrë përmasa, por edhe për shkak të terrenit të vështirë, krijon vështirësi të madhe edhe për lëvizjen e njerëzve apo edhe të mjeteve. Gjithsesi po operohet, po vazhdon”.
I pyetur sesi paraqitet situata në Karaburun dhe Dukat dhe sa mjete do të operojnë sot, Çako tha se, “sot do të operojnë 3 mjete, midis të tjerave edhe mjete të operatorëve privatë. Forcat e FA sot janë në terren rreth 500 forca bashkë me të gjitha njësitë e pushtetit vendor dhe me të gjitha strukturat e tjera vendore”.