Sociologu i njohur Gëzim Tushi është shprehur ditën e sotme se të rinjtë shqiptarë urrejnë prindërit në shtëpi dhe mësuesit në shkollë.
I ftuar në studion e Abc News, Tushi tha se një familje nuk mund ta ndërtojë marrëdhënien me fëmijët vetëm duke dhënë urdhra.
Sociologu u shpreh:
“Unë jam partizan i demokratizimit të institucioneve të sigurisë morale, sikur janë shkolla, familja etj. Por për fat të keq tek ne kanë marrë zhbalancime dhe në një farë mënyre është marrë ideja se duke goditur autoritarizmin do zhduket autoriteti.
Unë nuk jam për këtë. Institucionet, si familja shkolla por edhe institucione të tjera mbeten institucione të disiplinës.
Kjo do të thotë se asnjë familje nuk mund të funksionojë nëse nuk ka njëlloj disipline të brendshme organike, jo patriarkale, jo vertikale, jo maskiliste por horizontale. Por ne e kemi të vështirë ta ndërtojmë këtë autoritetin e horizontalizmit, qoftë në familje qoftë edhe në shkollë.”
Më tej ai shtoi se edhe kriza e shkollës në shumicën e rasteve ka bërë padrejtësi tek të rinjtë.
Tushi shtoi:
“Kriza e shkollës ka bërë padrejtësi tek të rinjtë tanë se dy figurat që ata urrejnë më shumë janë prindërit në familje dhe mësuesit në shkollë. Ata nuk i shikojnë dot fare sepse janë figura që kërkojnë disiplinë dhe njëlloj autoriteti funksionues”