Soreca del me mesazhin e fuqishëm: Ja çfarë pres nga qeveria ‘Rama 3’ dhe ekipi i Bashës

Ambasadori Luigi Soreca shprehet se mezi pret të bashkëpunojë me ekipet e reja, si atë qeverisës të Kryeministrit Rama, ashtu edhe atë të opozitës, të sapozgjedhura të Partisë Demokratike.

Pyetje: Zoti ambasador, Kryeministri Rama dhe kreu i opozitës, Basha, kanë shpallur ekipet e reja pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe debatit pas tyre. Si i vlerësoni zhvillimet politike para nisjes së sezonit të ri parlamentar? Cilat janë sipas jush sfidat prioritare të maxhorancës dhe opozitës?

Soreca: Sezoni i ri politik shënon rikthimin në jetën parlamentare të opozitës dhe mendoj se ky është një ogur i mirë për demokracinë shqiptare. Parlamenti do të përbëhet kryesisht nga dy blloqe, të cilat do të duhet të punojnë së bashku për vendimet kryesore për të ardhmen e vendit, veçanërisht në lidhje me integrimin në BE.

Pres që Parlamenti i ri, në tërësi, të vazhdojë të shtyjë përpara zbatimin e të gjitha reformave të nevojshme për integrimin e Shqipërisë në BE. Pres që Parlamenti i ri, në tërësi, të jetë i gatshëm për të marrë vendime të rëndësishme dhe, nganjëherë të vështira, mbi reformat vendimtare për vendin, si Reforma Zgjedhore, përfshirë financimin e partive, si dhe Reforma në Drejtësi, në kuadrin e përparësive të përgjithshme dhe kombëtare të së ardhmes së Shqipërisë në BE. Ka shumë punë përpara, si dhe çështje komplekse, të tilla si rimëkëmbja ekonomike e vendit pas tërmetit dhe pandemisë, apo l ufta kundër ndryshimeve klimatike dhe mbrojtja e mjedisit, të cilat mund të trajtohen vetëm nëpërmjet angazhimit ndërpartiak.

Ndaj, pres me padurim sezonin e ri politik dhe punën me kabinetin e ri Rama, si dhe me ekipin e ri të kryetarit të PD-së, Basha, dhe partitë e tjera që do të risjellin në Parlament zërin e nevojshëm të opozitës. Unë kam besim se ekipet e reja, Parlamenti në tërësi dhe aktorët jopolitikë, janë të gjithë gati për të ecur përpara, të vetëdijshëm se vetëm duke vepruar kështu mund të sigurojnë arritjen e përparësisë kombëtare dhe ndërpartiake të integrimit të Shqipërisë në BE, duke filluar me Konferencën e parë Ndërqeveritare (IGC) mes BE-së dhe Shqipërisë, që do të shënojë zyrtarisht hapjen e bisedimeve të pranimit.

Pyetje: Shqipëria mbylli një proces zgjedhor dhe Parlamenti pritet të mblidhet në 10 shtator. Edhe pse raporti i OSBE/ ODIHR-it flet për probleme thelbësore në zgjedhje, sërish palët duket se do të jenë në Kuvend. Çfarë prisni ju nga Parlamenti i ri?

Soreca: Unë mirëpres deklaratat e partive opozitare për të qenë pjesë e Parlamentit të ri, pasi ky është një element themelor i demokracisë përfaqësuese. Zënia e vendit në tryezë është mënyra më efektive për të ndikuar në vendimmarrje. Ashtu si dhe të kërkuarit llogari qeverisë dhe mbajtja e saj nën kontroll. Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR-it mbi zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë, të 25 prillit 2021, konfirmoi se zgjedhjet në përgjithësi ishin të mirorganizuara. Në të njëjtën kohë, rekomandimet për ligjvënësit për të përmirësuar më tej ligjin zgjedhor ofrojnë një platformë udhëzuese për punë të rëndësishme në të ardhmen. Siç u tha, mendoj se është e rëndësishme përfshirja në një raund të dytë në Parlament për Reformën Zgjedhore.

Unë, gjithashtu, i konsideroj rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it që agjencitë e zbatimit të ligjit të hetojnë dhe të ndjekin penalisht rastet e blerjes së votës, presionin mbi votuesit dhe shkeljet e sigurisë së të dhënave personale, si shumë të rëndësishme. Ato duhet të merren seriozisht dhe ne inkurajojmë plotësisht agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet e tjera kompetente që t’i hetojnë këto raste. Sesioni i ri legjislativ ofron një mundësi, si për qeverinë, ashtu dhe për opozitën, që të punojnë së bashku edhe me gjithë aktorët e tjerë përkatës, për të trajtuar rekomandimet e ODIHR-it dhe çdo çështje të pazgjidhur. Unë pres që kjo të ndodhë, duke marrë parasysh kontributin e rëndësishëm që aktorët e shoqërisë civile mund të sjellin në tryezë.

Loading...