Sot, 16 vite pa mbretëreshën e komedisë shqiptare, Violeta Manushi

Violeta Manushi mbetet një nga ikonat e Teatrit Kombëtar të Tiranës, aktive për mëse 55 vjet. Aktore e madhe, që ka shkëlqyer njësoj si në komedi (Ollga tek “Zonja nga qyteti”) ashtu edhe në dramë (Nica tek “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”). Numëron mbi 100 role në teatër dhe 16 në kinema. Në maj 2004 u rikthye me sukses në skenën e Teatrit Kombëtar, me tragjikomedinë “Streha e të harruarve”.

Ish-punëtorja e tipografisë, vetëm 20 vjeçe u regjistrua në shkollën e parë dramatike, të hapur pranë Teatrit të Shtetit, më vitin 1946, ku u shqua menjëherë për vërtetësi, spontanitet e natyrshmëri të rrallë, por edhe disiplinë e vullnet të hekurt.
Violeta Manushi iku, 16 vite më parë, më 26 korrik 2007 duke lënë gjurmë të pashlyera në radhët e korifejve të artit skenik shqiptar, në radhët e atyre që vunë themelet e godinës së aktrimit teatror dhe filmik. Në atë kohë Luftar Paja për Violeta Manushin do të thoshte mes të tjerash: “Ajo për këtë teatër ka sakrifikuar jetën, duke luftuar me penë dhe djersë për të mposhtur konceptet e asaj kohe. Ajo ishte këmbëngulëse në rolet që bënte. Ka qenë një njeri i respektueshëm në klimën artistike që sot me keqardhje mund të them se çalon. Artistët si ajo ishin të rrallë.
Dritëro Agolli do të mëtonte kësisoj për aktoren: “Shtëpia e Violetës ishte skena, rolet ishin fëmijët e saj. Artistja e Popullit Violeta Manushi, mbetet një nga kalorëset më fisnike të skenës, që bashkë me brezin e saj, hodhën themelet e Teatrit Kombëtar dhe vendosën bazamentin e dashurisë për teatrin tek njerëzit. Në këto themele, bashkë me teatrin, Violeta Manushi, ndërtoi edhe shtëpinë e saj.

Për atë, teatri dhe shtëpia ishin një. Ajo nuk u martua, nuk bëri fëmijë, vatra e saj ishte skena dhe rolet, ishin fëmijët e saj. Këta ishin shumë, të vegjël, të rinj, të moshuar, të mençur, shakatarë e seriozë. Atyre u dha frymën e saj, shpirtin dhe mendjen, u dha karakterin kombëtar dhe popullor, veset dhe virtytet, zemërimin dhe trishtimin, prandaj, këto personazhe të krijuara prej saj, u bënë thellësisht popullore, bashkë me të.

Loading...