Sot hyjnë në fuqi ndryshime të rëndësishme/ Paga minimale shkon në 30 mijë lekë, ulet pragu i TVSH-së dhe tatim fitimi për bizneset

Disa vendime shumë të rëndësishme ekonomike futen sot në fuqi.

Nga dita e sotme askush nuk do të paguhet më në Shqipëri më pak se 30 mijë lekë. Ky është vendimi i Qeverisë, i cili u mor më 16 dhjetor dhe hyn sot në fuqi. Paga minimale do të jetë 30 mijë lekë nga 26000 lekë që ishte deri dje. Për të marrë këtë pagë bazë duhet që të kryhen 174 orë pune në muaj gjatë kohës normale të punës, ndërsa shtesat jepen mbi pagën bazë.
Një tjetër vendim shumë i rëndësishëm që hyn në fuqi sot është ai që bizneset me qarkullim vjetor nga 0 deri në 10 milionë lekë, nuk do të jenë subjekte të pagimit të TVSH-së. Sot fillojnë lehtësirat ndaj biznesit të vogël, i cili deri në vitin 2029 nuk do të paguaj këtë tatim. Janë rreth 40 mijë biznese që pritet të dalin nga skema e TVSH-së, që është edhe zëri i të ardhurave tatimore më i rëndësishëm në buxhet.

Duke filluar nga sot bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë do të kenë tatim fitimi zero, sipas ndryshimeve në ligjin për tatimin mbi të ardhurat.

Ndërkohë që sot fillon edhe fiskalizimi. Faturat që do të lëshohen për Entet Publike/Shtetërore duhet të jenë Fatura Elektronike, të cilat do të shkëmbehen nëpërmjet Platformës Qendrore të Faturave. Vënia në zbatim e fiskalizimit në janar të vitit 2021, duke bërë që bizneset fillimisht për marrëdhëniet me shtetin të lëshojnë fatura elektronike dhe më pas biznes me biznes dhe biznes konsumator, do të ketë rol kryesor edhe në formalizimin e ekonomisë.

Loading...