Avokati Spartak Ngjela ka shprehur mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të deputetit socialist Bashkim Fino.
Ngjela e cilëson Finon si një njeri të veçantë me moral të lartë dhe edukatë të mirëfilltë qytetare. Ai thotë se deputeti socialist u largua në kohën kur duhej më shumë.
“Bashkim Fino, nuk jeton më. Dhe me dhimbje më duhet ta them këtë… Bashkim Fino, ishte një njeri i veçantë: kishte moral të lartë dhe edukatë të mirëfilltë qytetare. Punëtor i madh dhe me optikë të lartë menaxheriale. Tani nuk jeton më.
Por, si kryeministër, ai e shpëtoi Shqipërinë në trazirat e vitit 1997. Operativ, trim, paqësor dhe humanist: ai diti të drejtonte edhe shtetin, por diti që të jepte edhe optimizëm me logjikë të saktë kundrejt ndërkombëtarëve të shumtë që e shihnin me shumë shqetësim çështjen shqiptare. Tani nuk jeton më. Humbje e madhe për politikën shqiptare, njëlloj si dhe për familjen e tij.
Unë e kisha mik, dhe u miqësova me të jo nëpër lokalet e Shqipërisë, por kur ai ishte si drejtues, si kryeministër dhe si menaxher brilant i qeverisë që drejtonte.
Në luftë i patrembur; Në punë, i palodhur; Në fushata elektorale tejet popullor; Dhe në jetë: i moralshëm, shoqëror dhe vetëm i drejtë. Ti u largove Bashkim në një kohë kur duheshe shumë. Të qoftë i lehtë dheu i atdheut tënd”, shkruan Ngjela.