”Die Welt”, një nga gazetat më të njohura gjermane, i ka kushtuar një shkrim special prej disa dhjetëra faqesh, Shqipërisë, me mbi 20 artikuj dhe intervista, ku flet për përpjekjet për integrimin e vendit në Bashkimin Europian.
“Shqipëria e superheroit, Skënderbeut, është futur në fushatën për anëtarësimin e vendit në BE”, është titulli që prestigjiozja gjermane hap botimin special ku, mes të tjerash shkruan: Sheshi “Skënderbej” është shtruar me gurë të mbledhur nga i gjithë vendi me qëllimin që të nxjerrë në pah ndërtesat përreth. Në vitin 2018, sheshi i rinovuar fitoi Çmimin e Bashkimit Europian për Arkitekturën Bashkëkohore. Perspektiva e pranimit në BE është faktori më i rëndësishëm që nxit reformat. Në rastin e Shqipërisë, Komisioni Europian ka mbështetur nisjen e bisedimeve të pranimit. Politikanët e BE-së duhet ta pranojnë këtë”.
“Për kombet më të industrializuara të Europës, të bërë të gjithë bashkë, anëtarët e rinj potencialë nuk do të mund të zgjidhin mungesën e fuqisë punëtore që kërcënon rritjen ekonomike të BE-së. Megjithatë, Shqipëria në veçanti sjell disa avantazhe. Ka dalje në det dhe porte të zhvilluara. Ka elementë bazikë të bukurisë, historisë dhe klimës për të pasur një rritje të lartë të turizmit. Dhe ka treguar vullnetin për të përshtatur mënyrën se si udhëhiqet, veçanërisht në pesë kërkesat kryesore të BE-së: administrata publike, shteti i së drejtës, korrupsioni, krimi i organizuar dhe të drejtat themelore”, shkruan ”Die Welt”.
“Nuk them asgjë të re, teksa pranoj që Shqipëria ka hedhur hapa të mëdhenj përpara”.
“Me shumë ndihmë nga miqtë e rinj, Shqipëria rikrijoi ligjet dhe kushtetutën e saj për të kërkuar anëtarësimin në Bashkimin Europian. Hapi i parë ishte më i lehti. Pasi ishte qetësuar situata nga çlirimi prej zinxhirëve të komunizmit, Shqipëria nënshkroi një marrëveshje tregtare dhe bashkëpunimi me Bashkimin Europian në vitin 1992 dhe pak më pas u bë e përshtatshme për fondet “Phare” për të filluar detyrën masive për shndërrimin e bizneseve të saj, ligjeve, jetës financiare dhe qeveritare për t’iu përshtatur sa më shumë BE-së. Tani, tre dekada më pas, ministrat shqiptarë kanë vizituar kryeqytetet kryesore të BE-së për të lobuar në mbështetje për hapjen e negociatave për aderim”, shkruan prestigjiozja gjermane.
”I konfirmuar për mandatin e tij të dytë si kryeministër i Shqipërisë, në 2017, Edi Rama i ka përqëndruar gjithë energjitë e tij në përshpejtimin e hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE-në. Edhe pse sondazhet flasin për një mbështetje popullore prej 80 për qind për përpjekjet tij në procesin e integrimit dhe progresin e qëndrueshëm në reformat me shkallë të gjerë, Rama ende përballet me probleme që pengojnë ambiciet e tij për t’u integruar në BE”, thekson gazeta.
“Ndihma për reformat strukturore dhe në drejtësi kanë ardhur nga Gjermania dhe Holanda, si dhe nga vetë BE-ja. Zgjedhjet në vitet 2013 dhe 2017 janë matur sipas standardeve europiane dhe të dyja u konsideruan si të lira dhe të ndershme. Parlamentarët pranuan gjithashtu që të heqin dorë nga imuniteti ligjor që kishin. Shqipëria ka bindur Komisionin Europian për përshtatshmërinë e saj për fillimin e negociatave për aderim. Kjo ende duhet të kalojë edhe nga Këshilli Europian, institucioni politik kryesor i BE-së. Përgjigjja pritet të vijë këtë qershor”, shkruan “Die Welt”.
Në vijim, gazeta gjermane ndalet tek ekonomia.
“Sistemi bankar, më i shëndetshëm se kurrë më parë, në vitin 2018 njohu 147 milionë euro përfitime. Kreditë e këqija, nga ana e tyre ranë nga 25% e totalit në vitin 2015, në 11% në 2019-n. Papunësia, nga 18,7% në 12,3%, me projeksionin për t’u ulur në vijim në 8%, më mirë se shumë prej vendeve anëtare”, shkruan ajo.
”E gjitha kjo, në një vend që, që prej vitit 1992, ka 18-fishuar Prodhimin e tij të Brendshëm Bruto. Ndaj, “Standard & Poor” jep një parashikim pozitiv për të ardhmen e vendit, duke paralajmëruar një rritje të vlerësimit, e duke nënvizuar se rritja do të mbetet më e lartë se 4% në vit deri të paktën në 2022”, shton ”Die Welt”.
Turizmi është një tjetër fushë që e përditshmja gjermane i ka dedikuar vendin tonë në specialen e publikuar.
“Die Welt”e përshkruan Shqipërinë si “një vend përrallor mesdhetar, me plazhe idilike, por jo të mbipopulluara (të paktën deri tani), e që ka shumë se çfarë do të ofrojë veç peizazheve”.
“Tirana, kryeqyteti, i është nënshtruar një rilindje të plotë urbane, që ka transformuar grinë e zymtë të komunizmit në një të tashme të mbushur me ngjyra, festa dhe jetë kulturore”, thekson ajo.
“Natyra i ka dhuruar vendit një peizazh mahnitës dhe njerëzit janë të zënë duke u shërbyer vizitorëve, që tashmë janë më shumë se pesë milionë, një shifër që po rritet me shpejtësi. Burri dhe gruaja? Rënia e barrierave gjinore ndihet kudo, e udhëhequr nga një qeveri e cila edhe në përbërjen e saj ka një ndarje të barabartë mes meshkujve dhe femrave”, shton gazeta.
”Rruga e Arbrit, një investim prej 250 milionë eurosh, po realizohet pas 20 vitesh premtime. Janë në plan për t’u ngritur dy aeroporte të rinj, në Kukës dhe në Vlorë, ndërsa hekurudhat e degraduara të komunizmit më në fund po rehabilitohen, me investimin për linjën Tiranë-Rinas-Durrës e planin për dy lidhje të reja me Malin e Zi e Greqinë.
Megjithatë, për Shqipërinë, një potencial i shkëlqyer vjen nga projektet europiane, mbi të gjitha Korridori i Kaltër që e lidh me Kroacinë e më tej.
Tek energjia, “Die Welt” veçon faktin që Shqipëria është ndër vendet e pakta në të gjithë botën që prodhon energji pothuajse 100% të rinovueshme dhe se kapacitetet janë duke u rritur vit pas viti. Me zbulimin e ri të bërë nga “Shell” së fundmi, Shqipëria mund të shndërrohet në një eksportues kryesor europian të naftës dhe gazit natyror.
”Pavarësisht të gjitha këtyre arritjeve, një sfidë e veçantë në luftën kundër pabarazisë mbetet gjithpërfshirja dhe ilaçi për këtë është programi i “100 fshatrave”. Një program unik, që promovon turizmin rural, por mbi të gjitha ofron incentiva të qarta për zgjerimin e industrisë së agroturizmit dhe artizanatit”, thotë gazeta.
Shumë e veçantë pikëpamja e “Die Welt” përsa i përket krimit të organizuar.
“Kur Shqipëria hapi kufijtë e saj në vitin 1991, turistët nisën të vijnë dhe qytetarët e saj të largohen drejt vendeve të Europës, deri atëherë të ndaluara për ta. Midis të larguarve ishin edhe kriminelët, që panë një mundësi për të zgjeruar aktivitetet e tyre të jashtëligjshme. Kriminelët e rikthyer shpesh janë bërë më të sofistikuar pasi kanë mësuar prej bosëve të krimit jashtë vendit, ndaj edhe puna për të luftuar krimin e organizuar është bërë shumë më e vështirë. Edhe pse Shqipëria mund të ketë një imazh jo të mirë, bashkëpunimi ka sjellë fryte. Përshembull, sasia e kanabisit me prejardhje shqiptare, e kapur në Itali ra me 81% nga 2017-ta në 2018-n”, thekson “Die Welt”.
Për të përditshmen gjermane, edhe reforma në drejtësi është një përvojë unikale midis vendeve kandidate për anëtarësimin.
“Ndryshime të gjera në sistemin e drejtësisë tani përfshijnë një sistem rigoroz vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët, që ka eliminuar gjysmën e atyre që kanë kaluar nga ky proces”.
”Në më pak se tre dekada, Shqipëria ka treguar se mund të mbajë zgjedhje të lira dhe të ndershme nën mbikqyrjen e BE-së, të modernizojë ekonominë për të pasur një rritje të qëndrueshme (pa dyshim nga një bazë e ulët) që tejkalon mesataren e BE-së dhe të ripërkufizojë pjesë të kushtetutës së saj dhe shumicën e sistemit të saj gjyqësor duke e sjellë atë në përputhje me normat e bashkimit”.
Ciklin e saj të intervistave, “Die Welt” e nis me kryeministrin Edi Rama, i cili pyetet për mundësinë e hapjes së negociatave.
“Duhet të saktësoj se ne nuk pretendojmë të anëtarësohemi në BE që tani, ne thjesht duam hapjen e negociatave. Koha për t’u anëtarësuar do të vijë më vonë. Është si të planifikosh një martesë, por jo të martohesh menjëherë”, thotë ai.
Rama thekson rëndësinë që ka për të gjithë vendet e rajonit dhënia e një sinjali pozitiv, që të dëshmojë se Europa është e përkushtuar ndaj Ballkanit Perëndimor.
Për “Die Welt”, e veçantë është pikëpamja e Ramës për kancelaren Merkel. “Kancelarja Angela Merkel është e papërsëritshme, ajo ka një vizion tejet të qartë rreth Ballkanit rreth të shkuarës dhe të ardhmes së këtij rajoni. Kjo është arsyeja përse ajo ka qenë dhe mbetet kampionia jonë”.
”Die Welt” interviston edhe ambasadorin e BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
“Shqipëria ka bërë një progres të qënësishëm gjatë dy viteve të fundit, sidomos në reformën në drejtësi, që është thelbësore për të ardhmen e vendit. Ndaj i bëj thirrje investitorëve të huaj se nuk duhet të fokusohen tek problemet, por tek mundësitë që ofron Shqipëria. Edhe në këtë situatë politike të vështirë, rritja ekonomike është tejet e lartë, shumë më e lartë se disa nga vendet europiane. Kështu vazhdon prej disa vitesh dhe parashikimet janë pozitive. Ka shumë potencial për një rritje të mëtejshme”, thekson Soreca.
Nën udhëheqjen e BE-së dhe me një financim prej 85 milionë eurosh deri tani, shërbimet e administratës lokale janë thjeshtuar, ndërkohë që numri i njësive të qeverisjes vendore është ulur nga 384 në 61 bashki.
”Reformat kanë krijuar rekrutime të bazuara mbi meritën dhe mundësi për të rinjtë. Të huajt tashmë i njohin cilësitë e Skënderbeut. ‘Toka e Shqipërisë! Ku Iskanderi u ngrit/ Motivi i të rinjve dhe feneri i mençuris “, shkroi Bajroni në 1812.
”Kryeministri Edi Rama, gjithashtu një artist dhe politikan, duhet të shpresojë që europianët e sotëm ta njohin karakterin skënderbegas të pasardhësve të superheroit”, shkruan gazeta e njohur gjermane ”Die Welt”./atsh