Moratoriumi i gjuetisë ka rikthyer shpendët shtegtarë në këtë fillimpranvere në lagunën Divjakë-Karavasta, ku me ngjyrat dhe lëvizjet e tyre dhurojnë një spektakël natyror.
Fotografët e apasionuar të guidës turistike Divjakë-Karavasta kanë fiksuar në fokus përveç flamingove dhe pelikanëve edhe tufa me shpendët e rrallë të sapoardhur nga migrimi, Krillat apo Gjelat e Pranverës (Plegadis falcinellus) të cilët janë tepër të rrallë dhe janë rikthyer në habitatin natyror të lagunës Divjakë-Karavasta.
Laguna është toka ligatinore më e madhe në Shqipëri për zogjtë migratorë, duke siguruar për ata një habitat të përshtatshëm për t’u ushqyer, kaluar dimrin, shumimin dhe ngritjen e foleve. Ajo është gjithashtu habitati i vetëm në Shqipëri ku mund të rritet Pelikani Kaçurrel.
Ishujt natyrorë brenda lagunës janë elementi më i rëndësishëm i kësaj zone për ruajtjen e zogjve. Për të shmangur shqetësimet në vende të tjera, pelikanët i ngrenë foletë e tyre vetëm në këta ishuj. /atsh