Nga qyteti i Kolonjës ku mori pjesë në ditën e trashëgimisë kulturore, ministrja Elisa Spiropali i është përgjigjur kreut të shtetit, Ilir Meta duke deklaruar se shumica është e vendosur për shkarkimin, aq më tepër pas raportit të Komisionit të Venecias.
“Procesi ligjor ka nisur, komisioni i Venecias ishte shumë i qartë për atë që deklaroi deri në detaje është analiza se ku konsistoi në kapërcimet dhe shkeljet e Presidentit te Republikës.
Komisioni hetimor do të vazhdojë sipas procedurës duke vlerësuar të gjitha elementët që dhe komisioni i Venecias ka përcaktuar, ne sigurisht jemi të vendosur që si maxhorancë dhe si parlament të mbrojmë ligjshmërinë në vend.
Ligjin nuk mund ta shkelë një qytetar i thjeshtë, nuk mund ta shkeli mbi të gjitha Presidenti i Republikës i cili duhet të jetë garant i ligjit dhe garant i unitetit të popullit, jo e kundërta” tha ajo.
E pyetur mbi deklaratën e Presidentit dje, që tha se “unë jam ‘Luani i Venecias’ dhe nuk i trembem Komisionit”, Spiropali u përgjigj me ironi. “Nuk mund të bëj koment për zoologjinë, por vetëm komente për ligjshmërinë” tha ajo. Komisioni i Venecias konstatoi se Ilir Meta shkeli Kushtetutën me vendimin për anulimin e 30 Qershorit.