Studentët e Drejtësisë peticion: Duam mësim, jo peng i një bojkoti nga 10 veta me përkatësi politike

Mbi 200 studentë të Fakultetit të Drejtësisë kanë nënshkruar sot një peticion për t’i dhënë fund bllokimit të mësimit nga një grup i vogël të rinjsh.

Agjencia Telegrafike Shqiptare ndoqi nga afër situatën në Fakultetin e Drejtësisë ku studentët shprehen pro zhvillimit të mësimit në auditore dhe kundër bllokimit të dyerve të fakultetit nga një grup i vogël të rinjsh të lidhur me forumet politike.

Një studente në vitin e tretë juridik tha për ATSH-në se “deri tani janë mbledhur mbi 200 firma për të vazhduar mësimin nga studentë që vijnë përditë e pyesin, a po bëhet mësim apo jo”.

“Është një peticion që mundohet të mbledhë firmat e studentëve që duan të bëjnë mësim. Në këtë peticion shënohet vetëm emri, mbiemri dhe firma e gjithsecilit me shkrim dore. Këta janë të gjithë studentë të Fakultetit të Drejtësisë”, nënvizoi ajo.

Sipas saj, peticioni është një mënyrë e shprehur dhe nga dekani si alternativë.

“Në këtë mënyrë edhe ne studentët mund të shikojmë nëse shokët tanë studentë duan të bëjnë mësim apo duan bojkot, sepse në një farë mënyre kosto është kjo”, u shpreh ajo.

Studentja bën të ditur se që pas pushimeve të dimrit në fakultetin tonë ka pasur studentë që vijnë, shikojnë nëse po bëhet mësim apo jo dhe ikin përsëri.

“Mendoj se nëse aty ka 20 apo 50 studentë se nuk lejohen kamerat brenda dhe kjo është dyshuese, them se në momentin që janë 30 brenda dhe ke 40 të tjerë jashtë unë mendoj se është e drejta e të gjithëve që fakulteti të hapet”, tha studentja.

Një studente tjetër e Fakultetit Juridik shprehet se “kam ardhur se jam e gatshme të bëj mësim dhe mendoj se protesta i dha frytet e saj dhe mesazhin e saj dhe ka ardhur koha që studentët t’i kthehen auditoreve”.

“Unë ndjehem shumë mirënjohëse kolegëve të mi që protestuan për ditë të tëra me radhë aty. I falënderoj se falë tyre arrita të përfitoj ulje tarife apo fitimin e bursës si pjesë e ekselencës. Ndihem vërtet mirënjohëse, por nuk jam mirënjohëse nëse më humbet viti shkollor”.

Studentja thotë se nëse humbet vitin shkollor ka dyfishin e shpenzimeve.

“Unë mund të kem dyfish të shpenzimeve se nuk jam nga Tirana, vij nga rrethet. Nëse shtyhet viti nuk mund të punoj gjatë verës, pasi në muajin gusht do të bëj mësim”, thekson ajo.

Studentja kërkon hapjen e sekretarisë, sepse në rast se ajo nuk hapet, shprehet ajo, nuk arrij të plotësoj dot dokumentacionin e nevojshëm që mua më duhet për tarifën.
“Ato pak shërbime që ne mundësuam nga protesta i bie ti japim një shkelm dhe të mos lejojmë asnjë student të futet në fakultet, të marrë asnjë lloj dokumentacioni”, tha ajo.
Lidhur me peticionin, studentja shprehet se “kam qenë ndër studentët e parë që kam firmosur peticionin për të bërë mësim, dhe nuk ka asgjë të keqe që të merret mendimi i studentëve, nëse duan të bëjnë mësim apo bojkot”.

Një tjetër student i vitit të tretë Bachelor në Fakultetin e Juridikut thotë se “kam qenë pro protestës kur ishte në fillimet e saj, kur ishte më së shumti një protestë studentore. Çdo individ që ndodhet i ngujuar në ambientet e fakultetit ka një përkatësi politike të anëtarësuar, nuk mund të them që janë politikë, por janë thjesht të implikuar në partitë e tyre”.

“Si student, jo si anëtar i një partie erdha, jo nga rreziku se mund të digjet viti shkollor ose viti akademik, por të mos jemi më peng i një bojkoti nga 10 veta, ku shumica në listën e peticionit janë më shumë se 200 emra”, thotë ai.

Duam, vijon ai, të vazhdojmë mësimin dhe është viti i fundit që ne mbarojmë sistemin bachelor.

“Duhet të vazhdojmë mësimin, sepse kemi lëndë që janë të rëndësishme dhe mbetemi mbrapa dhe rikuperimi i tyre në kohë është i vështirë, sepse ka një muaj orë akademike që do të shtyhen në orët në vijim”, tha ai.

Sipas tij, ndryshimet ligjore janë bërë që të themi të vërtetën dhe pjesa më e madhe e tyre që janë duke bojkotuar janë përfitues të bursave, ndryshe nga ne që nuk kemi.

Ai shtoi se studentët duan të marrin edhe dokumentacionet në sekretari dhe nuk kanë aksesin për të hyrë në fakultet.

“Pedagogët që ne kemi kontaktuar kanë qenë për fillimin e mësimit”, tha ai./atsh/

Loading...