Studentët do të mblidhen nga ora 08-09:30 para fakulteteve për t’u bashkuar më pas në orën 10:00 para Kryeministrisë.
Klajdi Bello, një nga studentët protestues, ka postuar një video në faqen e tij në Facebook, teksa një student është duke gozhduar derën e një prej Fakulteteve.
Në protestën e sotme, studentët kanë ftuar të gjithë qytetarët që duan të protestojnë për të drejtat e tyre.
Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM por me votë në parlament.
Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë.
Kujtojmë se ishte 5 dhjetori i vitit të kaluar, kur studentë të universiteteve publike të Tiranës marshuan para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar fillimisht shfuqizimin e pikës 4 të VKM 288, që përcaktonte një tarifë shtesë për provimet e mbartura.
Por pas plotësimit të kësaj pike, studentët shtuan edhe kërkesa të tjera sic janë rritja e buxhetit për arsimin, ulja e tarifave, si dhe përmirësimi i kushteve në universitete dhe konvikte.
(BalkanWeb)