Grupe të vogla të rinjsh nga fakultete të ndryshme u mblodhën dje në një marshim që nisi përpara Ministrisë së Arsimit e më pas drejt Kryeministrisë.
Studentët lanë gjurmë në të dyja godinat, duke i qëlluar me bojë e vezë, në shenjë pakënaqësie ndaj reagimit të këtyre të fundit ndaj protestës.
Njësoj si e mërkura, edhe ditën e sotme, ata do ta vazhdojnë rezistencën jashtë godinave të fakulteteve.
Ora 10:00 do t’i gjejë para Parlamentit, duke insistuar në plotësimin e tetë kërkesave për arsim cilësor.
PEDAGOGËT KUNDËR QEVERISË
Të hartuara pas një pune intensive disajavore, si përgjigje e revoltës studentore, vendimet e fundit të qeverisë jo vetëm që nuk shuan protestën, por fituan dhe zemërimin e pedagogëve, që thonë se autonomia e universitetit dhe liritë akademike vihen në pikëpyetje.
Pas asamblesë së pedagogëve të Shkencave Sociale, të HistoriFilologjisë, Gjeologji-Minierave, ka reaguar edhe trupa akademike e Fakultetit të Shkencave të Natyrës. Përveç anulimit të VKM-ve të dhjetorit 2018, pedagogët e FSHN-së i kërkojnë qeverisë të hartojë një ligj të ri për arsimin.
“Asambleja e personelit akademik të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, duke ndjekur me përgjegjësi ecurinë e procesit mësimor dhe shqetësimet e lidhura protestën studentore, vendosi të solidarizohet dhe të mbështesë kundërshtimin e shprehur edhe nga asambletë e tjera universitare në lidhje me ato VKM të dala kohët e fundit, të cilat bien ndesh me lirinë akademike dhe autonominë universitare.
Të kërkojë hartimin e një ligji të ri të arsimit të lartë dhe të kërkimit shkencor, sipas standardeve dhe parimeve europiane, i cili të ketë mbështetjen dhe konsensusin e gjerë të të gjitha forcave politike dhe grupeve të interesit, për të siguruar qëndrueshmërinë e tij në kuadrin e reformimit të sistemit të arsimit të lartë”, citohet në vendimin e marrë një ditë më parë, ku i kërkohet Kryeministrit gjithashtu t’i japë fund fushatës denigruese e përbaltëse të figurës së pedagogut dhe universiteteve.
Edhe kjo asamble pedagogësh rikonfirmon mbështetjen e plotë ndaj protestës demokratike të studentëve, ndërsa i kërkon dekanit të shqyrtojë mundësitë për zëvendësimin e orëve, me qëllim mospenalizimin e studentëve për vitin akademik.
DREJTËSIA NË NGËRÇ
I vetmi fakultet ende i zaptuar nga studentët ka futur në konflikt studentët. Të frikësuar nga sezoni i provimeve dhe humbja e vitit akademik, një pjesë studentësh të Drejtësisë, që pretendojnë se janë shumica, po lëvizin të gjithë gurët për t’iu rikthyer mësimit. Pa një përgjigje të kënaqshme nga rektori i Universitetit të Tiranës për lirimin e ambienteve, të asistuar nga dekani Artan Hoxha, studentët e devotshëm për mësim po shqyrtojë nisjen e mësimit në një mjedis tjetër alternativ.
“Ne do fillojmë mësimin në një ambient tjetër, kudo qoftë. Ky është një vendim që ia kemi propozuar ehe më herët dekanit dhe ai na tha se nëse nuk merret asnjë masë për situatën e krijuar, do kemi komunikim edhe me Ministrinë e Arsimit dhe do shohim se çfarë ambientesh janë të disponueshme. Kjo zgjidhje është e fundit, por jo më e mira”, shprehet një studente e Fakultetit të Drejtësisë pas takimit të saj dhe një përfaqësie studentësh me dekanin. Nga ana tjetër, zaptuesit, të cilët për dy javë qëndrojnë ditë-natë në fakultet, pa asnjë indicie pozitive nga qeveria në drejtim të realizimit të kërkesave të kahershme, kanë vendosur të futen në grevë urie.
“Ky vendim është shumë i vështirë, por e kemi vendosur që të dielën ose të hënën të futemi në grevë urie. Vendimi është individual, por kush e ndjen, mund të na bashkohet”, thotë një studente e ngujuar në fakultet, dera e të cilit nuk është hapur ende për 2019-ën. Prej ditësh, afro 30 studentë e gdhijnë dhe ngrysin ditët në auditoret e fakultetit.
(shqiperiaime)