Studentët tentojnë të zhbllokojnë Fakultetin: Duam mësim, nuk jeni studentë të Juridikut

Studentët e Fakultetit të Drejtësisë po kërkojnë të zhbllokojnë ambientet e zëna nga një grup i vogël studentësh, që prej disa ditësh ndodhen të ngujuar në këtë fakultet.

Qindra studentë të cilët janë pro zhvillimit të mësimit, tentojnë të hapin dyer e Fakultetit nga individë që sipas tyre nuk janë studentë të këtij Fakulteti ndërsa thërrasin: “Duam mësim, duam mësim”.

Gjatë vëzhgimit të Agjencisë Telegrafike Shqiptare ajo që bie në sy është fakti që studentët thonë se ata që kanë bllokuar nuk janë studentë të Juridikut.

“Nuk jeni studentë të juridikut, shporruni, duam mësim”, dëgjohen thirrjet e studentëve.

Një studente i drejtohet personave që po bllokojnë ambientet e fakultetit “hapeni derën, jemi maturantë, jemi shumica dhe kërkojmë të bëhet mësim”.

Një nga personat që ndodhet i ngujuar në ambientet e Fakultetit, ka vendosur maskë dhe ka dalë të flasë me studentët që kërkojnë mësim.

Por, shumica e studentëve i kërkojnë të heqë maskën, pasi fakti që mban maskë tregon sipas tyre, që ata nuk janë studentë të këtij fakulteti.

Duke thirrur njëzëri “Studentët e Juridikut duan mësim”, ata nuk lëvizin nga dera ku ndodhen personat që mbajnë të bllokuar Fakultetin e Drejtësisë.

“Ne do të rrimë këtu deri sa të hapet dera”, thonë studentet për ATSH-në.

Ato shtojnë se “ne nuk kemi pse të shkojmë të bëjmë mësim në shkollat e tjera, sepse studiojmë tek Juridiku”. /atsh/

Loading...