Barbara Doda, një studente shqiptare në Kinë, ka folur në emisionin “Opinion” në Tv Klan për situatën e virusit coronavirus, që ka marrë më shumë se 80 jetë njerëzish.
Ajo thotë se në Kinë ka rreth 400 shqiptarë të shpërndarë në provinca të ndryshme. Sipas Barbaras, asnjë prej shqiptarëve nuk është në rrezik, teksa thekson se situata me virusin nuk është aq alarmante sa paraqitet në media.
Në qytetin kinez ku shpërtheu virusi, në Wuhan, momentalisht janë dy shqiptarë, nga katër që kanë qenë. Nga komunikimet që Barbara ka me ta, asnjë nuk është i infektuar dhe po qëndrojnë në kampuset universitare.
“Studentë ka 60, por shqiptarë që punojnë dhe studiojnë janë diku 400. Janë të shpërndarë në provinca të ndryshme. Komuniteti shqiptar është vërtetë shumë i bashkuar. Shqiptarët që janë atje janë mirë me shëndet.
Nuk ka asnjë nga ata të prekur me coronavirus. Frika ekziston, por nuk është aq e fortë sa paraqitet në media, sidomos në Shqipëri. Në Wuhan ka shqiptarë, dy vajza janë për momentin atje. Një është në Shqipëri sepse ka ardhur.
Ka ardhur më parë, por nuk besoj të jetë në rastet që përbëjnë rrezik. Ne kemi kontaktuar me ata, janë mirë. Madje njëra nga ato dha dhe një intervistë për median. Ndodhen në kampusin e shkollës”, tha studentja Barbara Doda.