Katër civilë janë vrarë dhe 22 janë plagosur gjatë sulmit mbrëmjen e djeshme në Vjenë.
Autoritetet austriake e cilësuan ngjarjen si sulm “terrorist”.
I vrarë është edhe një sulmues, të cilin autoritetet e identifikuan si Kujtim Fejzullahi, 20 vjeç, me shtetësi të Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Por dëshmitar të këtij akti të rëndë kanë qenë edhe dhjetëra kosovarë, të cilët jetojnë në Vjenë.
Express sjellë rrëfimin e një vajzë nga Kosova, e cila thotë se mbrëmë e pa tmerrin me sytë e saj.
Bëhet fjalë për Bulina Dërgutin, e cila rrëfehu momentet e tmerrit dhe krismat që dëgjoi pas shpinës teksa ishte në një kafene.
“Kemi dal rastësisht me dy shoqe të mijat. Ka qenë nata e fundit para se të mbyllen kafenetë pas marrjes së masave.
Dolëm në një kafe që zakonisht e preferojmë. Është në qendër të Vjenës. Unë e kam ba një foto në Instagram, zakonisht siç i bëjmë kur dalim.
Por krahas kësaj, e kam pa një paralajmërim të një shoqës sonë. Ajo në gjuhën gjermane na ka bërë thirrje që të shkojmë në shtëpi.
Nuk e morëm shumë serioze. Thamë është ‘diku tjetër’. Por në atë moment, pas nesh janë dëgjuar disa të shtëna nga arma e zjarrit”, rrëfen ajo.
Ajo tregon se me ndihmën e policisë austriake, rreth 40 persona janë futur në bodrumin e kafenesë, jo shumë larg vendit ku ishin dëgjuar të shtënat.
Por rruga deri atje, sipas Bulinës nuk ishte aspak e lehtë. “Në atë moment, ne jemi cu, duke vrapuar. Jemi rrëzuar në tokë.
Kemi marrë edhe lëndime trupore, nga vrapi për të ikë për t’u mbrojtur. Me pa, nuk kemi pa asgjë. Kemi dëgjuar të shtëna.
Thjeshtë në atë moment krejt qendra kanë filluar me vrapu shumë. Ka pas gra me fëmijë që janë rrëzuar, janë shkel, janë cu prapë duke vrapuar për me ikë.
Pas asaj kemi arrite me u stacionu në një lokal tjetër. Aty në podrum jemi fshehë. Policia na kanë rrethu, i kemi ndalë dritat.
Kemi qëndru aty diku rreth 2 orë. Nuk kemi pas mundësi që të dalim prej aty.
Diku 35-40 persona kanë qenë në podrum aty me ne të fshehur”, pohon vajza nga Kosova.
Pas dy orëve të qëndrimit në bodrum, Bulina thotë se bashkë me katër vajza të tjera, me një taksi u nisën për në vendet ku ato banonin.
Por edhe aty, ajo thotë se kanë kaluar përmes një momenti edhe më të frikshëm.
“Në ato momente, terroristët kanë qenë të shpërndarë në mahallat e lagjes. Ne nuk kishim guxim që të dalim prej atje.
Por ne kemi vazhduar shumë shpejtë. Gjithçka ka qenë e tmerrshme. Me taksi kemi vazhduar me shumë sfida dhe mbërritëm në banesat tona”, vazhdon tutje tregimin kjo vajzë.
Ajo shprehet se ende ndihet e frikësuar për të dalë jashtë për shkak të traumës.
“Sot nuk kemi dal. As nuk e kemi në plan me dal. Jemi shumë të shokuar. Ekstremisht të frikësum prej krejt kësaj ndodhie.
Neve na vjen keq për secilin që ka pësuar nga kjo tragjedi e rëndë”, tha ajo.