Agjencia Europiane për të drejtat themelore ka publikuar një raport ku tregon se 83% e grave të moshave 16 deri në 39 janë të detyruara të ndryshojnë sjelljet e tyre apo personat me të cilët shoqërohen për të shmangur dhunën apo ngacmimet seksuale, duke kufizuar kështu lirinë personale.
Raporti tregon se gratë janë më të prirura të përjetojnë ngacmime seksuale dhe shpesh ndryshojnë sjelljet e tyre për të shmangur rreziqe të kësaj natyre. Rreth 41% e grave shpesh shmangin situatat ku mund të jenë vetëm me dikë që njohin, nga frika e ngacmimeve apo dhunës, në krahasim me 25% të burrave. Ky sondazh i publikuar në shkurt, mbi sjelljet e qytetarëve të BE-së dhe mbi krimin, gjithashtu zbulon se burrat në shumicën e rasteve janë shkaktarë dhe viktima të dhunës fizike, ndërkohë që gratë janë viktima të dhunës seksuale.
Në raportin be bërë publik theksohet se gratë janë viktima të dhunës nga anëtarë të familjes dhe gjasat që ata të raportojnë rastet e dhunës janë tejet të pakta. Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore të Njeriut i bën thirrje shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, gjatë Ditës Ndërkombëtarë të Gruas, të fuqizojnë gratë për të raportuar incidente të kësaj natyre.
Sondazhi i Agjencisë së BE-së zbulon se në shtete anëtare, denoncimi i dhunës varion nga një vend të tjetrin. Në Francë dhe Gjermani, numri i denoncimeve nga gratë është më i lartë se në Greqi apo Finlandë. Të dhënat tregojnë se njerëzit që janë më të varfër dhe të papunë përjetojnë nivele të larta të dhunës. Pakicat etnike dhe komuniteti LGBTQ përjetojnë nivele të larta të dhunës po ashtu.