Studimi bazohet në analiza të bëra në periudhën 2003-2017, thotë DW, dhe rezultati është alarmues. Një pjesë e këtyre grimcave janë të dëmshm për shëndetin.
“Mbeturinat e 11 lëndëve plastike janë gjetur në urinën e 97 përqind fëmijëve. “Kjo, sigurisht, është dramatike. Lëndë të tilla nuk duhet të gjenden në trupat e fëmijëve”, tha zëdhënësja e Grupit Parlamentar të Të Gjelbërve në Bundestag, Bettina Hoffmann.
Veç kësaj, lëndë të tilla, që dëmtojnë hormonet, supozohet të luajnë një rol nxitës në të ashtuquajturat sëmundjet e civilizimit, siç janë obeziteti, çrregullimet e fertilitetit, kanceri dhe vonesat në zhvillim. Sipas bashkëautores së studimit, Marike Kolossa-Gehring, grupmosha më e ndjeshme është ajo e fëmijëve parashkollorë. Më shqetësueset janë sidomos nivelet e larta të acidit perfluorooctanoic (PFOA).
Ai përdoret, për shembull, për veshjet e aktiviteteve në natyrë. Sipas Agjencisë Federale të Mjedisit, kjo lëndë dëmton fertilitetin dhe mëlçinë. Më të prekura nga ky fenomen rezulton të jenë familjet e varfra: në këto raste jane gjetur tek fëmijët më shumë mbetje plastike sesa tek ata me një status të lartë shoqëror.
Në trupat e fëmijëve janë gjetur edhe mbeturina plumbi ose të një pesticidi të ndaluar prej shumë kohësh, DDT, megjithëse në periudhën e studimit, 2003-2017, ndotja me këto lëndë ka qenë shumë e ulët. Por shumë shpesh, derisa këto substanca të zhduken përfundimisht, duhet të kalojnë vite të tëra.