Një stuhi detare e pazakontë, përfshiu një ditë më parë zonën e Spilesë në Himarë, por situata është normalizuar pas ndërhyrjes së punonjësve të bashkisë.
Kryetari i bashkisë Himarë, Jorgo Goro përmes një albumi me foto ka pasqyruar situatën dhe dëmet që shkaktoi stuhia e pazakontë dhe rikthimi në normalitet brenda 24 orëve i kësaj zone.
“10 foto te albumit për t’ju treguar atë që ndodhi ditën e djeshme në Spile, me atë stuhi detare të pazakontë. 10 foto për t’ju treguar njëkohësisht punën dhe dedikimin e kolegëve të bashkisë Himarë që së bashku me banorët dhe biznesin, ndihmuan në normalizimin e situatës”, tha Goro.
Goro shprehet se “puna vazhdon për normalizimin e situatës për t’i kthyer himariotëve atë që meritojnë dhe nëse do ishin bashkuar me ne dhe ato që vetëm bëjnë komente dhe 0 punë, çdo gjë do kishte mbaruar më shpejt”.
“Edhe në këto momente puna vazhdon. Falënderim kujtdo që me një lopate erdhi dhe ndihmoi që Himarës sonë t’i rikthehet shkëlqimi. Nëse edhe ata që dinë të japin vetëm komente dhe opinione do ishin me ne bashkë të gjithë, natyrisht puna do kishte përfunduar me shpejt”, u shpreh Goro.
Gjithashtu për investimin e bërë në këtë zonë, Goro tha se është më i shkëlqyeri që ka patuar ky vend ndonjëherë të cilin do ta gëzojnë brezat e ri. Goro tha se ky investim i mbështetur nga Qeveria Shqiptare ka marr dhe kostot e vonesave të atyre që kanë bërë 0 punë në Himarë po që himariotët i kanë dhënë atë që meritojnë, përbuzjen e përjetshme.
“Ky investim i Qeverise Shqiptare është natyrisht më i shkëlqyeri që Himara ka patur ndonjëherë prej një dekade. Dhe që do ta gëzojnë brezat tanë që do të vijnë. Është dizenjuar nga arkitektë të Bashkimit Europian dhe mbështetur financiarisht menjëherë nga Qeveria Shqiptare duke marrë edhe kostot e vonesave fatale të pamerituara për Himarën dhe himariotët nga kritizerët e 0 punëve në Himarë. Njerëz që Himara dhe himariotët i njohin mirë dhe ndaj edhe u kanë dhënë atë që meritojnë: PËRBUZJEN E PËRJETSHME”, tha Goro. /atsh