Supërat me perime nuk janë vetëm të shijshme, por dhe tepër të shëndetshme dhe dietike.
Mundohuni t’i përgatisni herë pas here… Receta e sotme, përveç shijes unike, është dhe shumë e efektshme për personat që duan të humbasin peshë.
Përbërësit që do të nevojiteni
7 patate të vogla
6 domate mesatare
3 kokrra qepë
1 tufë selino
2-3 presha
3 karota
3 kunguj të njomë
lëngun e 2 limonëve të shtrydhur
4-5 lugë gjelle djath mascarpone
1 lugë gjelle paprika
kripë
4-5 lugë gjelle vaj ulliri
Përgatitja
Fillimisht, qëroni dhe prini në feta, rrathë apo kube perimet e sipërpërmendura. Në vazhdim, vendosni një tenxhere me ujë në zjarr, sapo të vlojë hidhni brenda të gjitha perimet, kripën, vajin, piperin dhe lëngun e limonit. Mbulojeni me kapak, ulni pak temperaturën, dhe lereni të vlojë për 30 minuta.
Pastaj, hiqeni nga zjarri, dhe me ndihmën e një piruni vendosni perimet e ziera në blender (makinë grirëse). Bëjini pure dhe mandej hidheni përsëri në tenxhere, duke e lënë të ziejë rreth 20 minuta të tjera.
Shërbehet në tas të madh, në mes mund të shtoni pak djath kremoz dhe piper të porsa bluar.
*Në rast se supa nuk është mpiksur si duhet, në një filxhan kafeje përzieni pakëz ujë me 1 lugë gjelle miell. Hidheni në tenxhere dhe lereni të vlojë pak derisa të trashet.