Deputetja e PD-së Jorida Tabakut deklaroi sot në parlament se mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë.
Tabaku tha se është e vështirë rifillimi i seancave aty ku e lamë duke u sjellë sikur nuk ka ndodhur gjë, pak më shumë se një javë më parë Shqipëria dhe shqiptarët humbën shansin për një rotacion lokal, ku harta kishte pak a shumë të njëjtën pamje që kishte katër vjet më parë.
“Këtu nuk është as vendi as momenti për të bërë analizat tona të brendshme, por sigurisht që pak gjëra dua t’i them:
Është fakt që mbas zgjedhjeve të 2021 largimi i shqiptarëve nga këto troje është rritur e përshpejtuar sa jo pak herë vrikemi të justifikojmë dhe me pak siklet se çfarë ndodh; kush janë arsyet; se pse sot ka më pak shpresë dhe pse shqiptarët largohen.
Kam takuar pa fund të rinj e të reja që kanë një mllef, mërzi por dhe dëshirë për ndryshim, që duan ta materializojnë dhe fatkeqësisht nuk arritën dot ta bëjnë në zgjedhjet lokale, që nuk arritën dot që atë potencial të paçliruar ta çlironin dhe sot të diskutonim për të ardhmen e jo të shkuarën.
Kur shihja fytyrat e lodhura në takimet elektorale që prisnin me valle për të dëgjuar se çdo ndodhë nesër, kur shihja moshën mesatare të rritur, kur pashë shifrat që nga mbi 122 000 votues për herë të parë, zgjodhën të shkojnë në votime as 17 mijë të tillë, pra 13.5%, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar.
Më tej, kur pashë shifrat që thuajse 300 mijë shqiptarë kishin vendosur të qëndrojnë në shtëpi atë të diel, atëherë e kupton që kjo pafuqi është shprehur dhe me refuzimin për të votuar.
Ndërkohë, një pjesë e jona akoma pretendon supremaci. Ku është supremacia? Ku është fitorja? Ku është krenaria? Në humbje, pa nder!”, deklaroi Tabaku.
Ajo theksoi se ka një ndjenjë të thellë frustacioni që rinia e tyre është marrë peng nga një elitë politike që i bën të ndjehen të pafuqishëm për të ndryshuar për mirë vendin.
“Janë disa barriera të ngritura apostafat, qëllimisht, për të ushqyer këtë ndjenjë apo të ngjashme si këto dhe që i shtyjnë shumë të largohen në vend që të kërkojnë ndryshimin.
Barrierat për të cilat flas nuk janë të padukshme, barrierë është dhe përpjekja e vazhdueshme për të influencuar votën apo këmbëngulja e vazhdueshme për të vendosur nën presion administratën, një shtet i kthyer në njësh me partinë në pushtet, blerja e votës, dhe me një konkurrencë të pashëndetshme për demokracinë mes ministrave që me çdo kusht duhet të tërheqin vëmendjen e liderit e përdorin çdo burim në atë drejtim.
Në qendrat e bojatisura të qyteteve të rilindura, ku kërcenin të moshuarit, u fol për shumëçka por shumë pak se si do jetë qeverisja nesër.
Pa program por me dajre, pa politika por me muzikën në gojë dhe ahengun si ndërmjetës.
E në këtë logore fjalësh, kërcimesh, refuzimi për të vepruar, mungese alternative e programi, presioni e lloj-lloj turli eksperiencash erdhi dhe sigurisht dhe premtimi për rritjen e madhe të pagave.
Rritja ekonomike e parashikuar nga qeveria shqiptare vitin e shkuar prej 4.84% nuk do të jetë më e tillë; pritshmëria tejet optimiste e qeverisë shqiptare në fakt do të përfundojë në 2.2%.
Mbi 70% e shqiptarëve vuajnë një krizë ekonomike, krizë pagash të ulëta dhe krizën e inflacionit socialist si pasojë e politikave të skaduara që kanë ndërtuar një sistem të skaduar dhe një kënetë të madhe ekonomike që qytetarët dhe të rinjtë e kuptojnë”, tha Tabaku.
Sipas saj, xhepat e qytetarëve, sidomos ato që kanë marrë kredi në banka, do të paguajnë gjithnjë e më shumë para në këstet e tyre.
“Sot, një shqiptari do t’i duhet të punojnë mbi 14 vite për të paguar një kredi hipotekore për një shtëpi. Çmimet e konsumit për shportën e ushqimeve janë rritur me mbi 20% ndërkohë që inflacioni bazë i përllogaritur nga Banka e Shqipërisë është duke shkuar në 9% ndërsa në vendet e BE inflacioni bazë (core inflation rate) është tek 6.3% në Janar ndërsa në Shqipëri ka qenë 8.4%.
Më të varfër! Më të vetmuar! Me më shumë kosto! Kjo është ekonomia që ka ideuar dhe materializuar qeveria shqiptare në dhjetë vite.
Punon shqiptari që të pasurohet oligarku! Mëson shqiptari, që të taksohet më pak oligarku! Përpiqet shqiptari, që të përfitojë përjashtime në taksa një pakicë që numëron përfitimet që dhuron ky parlament.
Shifrat nga EUROSTAT flasin se që prej 2014 nga thuajse 200 mijë shqiptarë të larguar, 75% e tyre janë të moshës deri në 35 vjeç. Pra shqiptarë që kanë përfunduar shkollën, janë trajnuar në vendet e tyre të punës dhe më pas zgjedhin të ikin”, tha më tej deputetja e PD.
Ajo theksoi se sistemi i korruptuar që nis nga taksat dhe përfundon në mënyrë se si shkruhen dhe miratohen ligjet, se si promovohesh në administratë, se si nuk ke hapësirë për të shprehur talentin tënd.
“Deficiti tregtar, thellohet ndërkohë që Euro është mbase flamuri i vetëm i një ekonomie informale që nesër do të na dëshmojë se si paratë informale e injektuar në sasi të mëdha një herë në dy vite ka shndërruar ekonominë më të dobët në Ballkanin Perëndimor të ketë monedhën më të fortë se sa Euro.
Tani që kuptuam realitetin ekonomik le të flasim pak për pagat: Nga viti 2019 deri më 2022, paga minimale në vend është rritur me ritme dy herë më të larta se paga mesatare. Gjatë këtij harku kohor, paga minimale u rrit me 30% dhe paga mesatare, me vetëm 15%.
Vetë paga mesatare nga 45.5 mijë lekë bruto në 2014, arriti në 66 mijë lekë pas 9 vitesh në 2022-n, me një rritje të pa indeksuar me inflacionin prej 45%. E indeksuar me inflacionin, rritja pagës reale është vetëm rreth 25% në 9 vjet!
Për dhjetë vjet me radhë janë marrë mbi 4 Eurobonde, kontratat e PPP-ve kanë shkuar sa 50% e PBB-së ndërkohë që konkurrueshmëria e pagave me rajonin e ka çuar Shqipërinë të fundit. Fuqia blerëse e një familje shqiptare që merr pagë minimale sipas EUROSTAT është më e ulëta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Një ekonomi e tillë, nuk prodhon dot një rritje pagash pasi ekonomia e tregut i rrit pagat jo me urdhër partie, as me dëshirë kryeministrie por me kërkesë-ofertë tregu”, tha Tabaku.
Ajo deklaroi se të punësuarit në administratën publike e meritojnë rritjen e vonuar të pagave, pasi qeveria në vend që të punonte për një rritje graduale të pagave dhe padyshim edhe meritokracinë ka investuar në sektorin e korrupsionit.
“Fatkeqësisht pabarazia në vendin tonë duket se është thellësisht një proces i ndikuar dhe drejtuar nga parlamenti i Shqipërisë. Sa e sa ligje janë miratuar këtu që promovojnë pabarazinë dhe mungesën e mobilitetit social?
E bashkë me këtë administrata publike sot ka nevojë të jetë e pakapur, ka nevojë të jetë jo-politike; ka nevojë të vazhdojë atë që nisi në 2013 po u shkel me këmbë një sistem ku promovohesh pa lidhje partiake.
Kur dëgjoj prezantimet e këshilltarëve bashkiakë nëpër rrethe, janë të gjithë të punësuar në OSHEE, administratë, drejtori rajonale. I gjithë shteti është i lidhur politikisht! Prandaj largohen sot dhe të rinjtë, sepse duhet patjetër të jesh dikushi, ose familjar i dikushit, ose i lidhur me dikë që punësohet në shtet, që të kesh mundësi të arrish diçka.
Besoj, se shqiptarëve u bëhet vonë për politikën. E kuptojnë shumë mirë se kur e shkuara u përdoret si shantazh për të ardhmen, se kur e shkuara u sillet si barrierë për të mos ndryshuar dhe për të mos luftuar, edhe për gabimet tona si opozitë, ata zgjedhin që të mos votojnë dhe të bojkotojnë.
Gjithsesi, kjo nuk duhet të na dekurajojë nga një përpjekje e thjeshtë dhe tërësisht e ndershme për të dëgjuar shqiptarët, demokratët dhe madje edhe socialistë. Për t’i ftuar ato në një angazhim dhe për t’i mikluar që në vend të cinizmit të na ofrojë shansin për t’i përfaqësuar apo për t’u përfaqësuar. E di që shumë prej tyre janë mosbesues ndaj nesh! Nuk u vë faj!”, tha më tej deputetja e PD.
Ajo theksoi se Shqipëria sot është një katrahurë ekonomike dhe politike. “Besoj se ka vetëm një rrugë për ta shpëtuar vendin nga kjo katrahurë, rikthimi i besimit tek politika, rikthimi i besimit tek ndryshimi.
Tek politika si instrument për të bërë mirë e për të ndryshuar çdo ditë, jo sa herë ka zgjedhje! Me çdo mundësi, qoftë dhe me kosto politike për secilin prej nesh”, u shpreh Tabaku.