Takimi i teatrove “Kadri Roshi” në Gjirokastër i cili vjen në kuadër të 50-vjetorit të teatrit ”Zihni Sako” u hap nga trupa e teatrit “Kujtim Spahivogli” të Tiranës, me shfaqjen “Shërbëtorët”.
Ky festival do të sjellë në skenë 7 trupa përgjatë një jave. Drejtori i këtij aktiviteti, Kudret Alikaj tha se ky është një rizgjim i artit dhe i përgjigjet nevojës, kërkesave dhe shijes së publikut, për të pasur një produkt cilësor teatral.
Dy ekspozita, që sollën përkatësisht kostumet e shfaqjeve të ndryshme gjatë historisë së teatrit, e figura të shquara të artit, ishin pjesë e organizimeve të çeljes së eventit.
Kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, Zamira Rami kujtoi se ky rizgjim duhet mbështetur me restaurimin e mjedisit të teatrit, ngrohjen e sallës për shfaqjet në dimër, mbështetje që i tejkalon sipas saj mundësitë financiare të bashkisë.
Niko Dhoska dhe Bukuroshe Kokalari, aktori dhe aktorja e parë e teatrit, si dhe skenografi i parë Vaso Lili u nderuan me titullin “Qytetar Nderi” nga bashkia e qytetit. Në skenën e festivalit mbrëmjen e djeshme u ngjit teatri “Skampa” i Elbasanit, me komedinë “Volpone”.
Mbrëmjen e sotme për publikun vjen komedia ”Lajzelota” nga trupa e teatrit të Korçës “Andon Zako Çajupi”./atsh