Tavë e sofrës së Prizrenit – Si ta përgatisni në shtëpi

Është një recetë e vjetër po aq sa edhe zakonet popullore shqiptare. Një gatim i kuzhinës vendase, specialitet i Prizrenit dhe është një recetë e trashëguar brez pas brezi.

Pavarësisht byrekëve fantastikë, suxhukëve e qofteve të zgarës, tradita e Prizrenit në kuzhinë është e pafundme në shijet e larmishme që ofron.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë një recetë tipike të Prizrenit, e përgatitur me përbërës që të gjithë i kemi në kuzhinë por që kombinimi i tyre shndërrohet në një shije unike, fantastike.

Ky gatim sjell në tryezë traditën e hershme shqiptare dhe shoqërohet në mënyrë të shkëlqyer me sallata të ndryshme të stinës.

Sidomos me sallatë jeshile apo spinaq e limon si dhe turshi të ndryshme, lakër arme apo patëllxhanë turshi të mbushur etj.

Përgatitja e Tavës së Prizrenit
Përbërësit
4 kokrra qepë mesatare

2 lugë vaj ulliri

3-4 lugë gjelle gjalpë të freskët

3 kokrra domate mesatare

400 gr speca

100 gramë mish të grirë (Sipas dëshirës)

200 gr djathë djathë kaçkavall të grirë

2 filxhanë çaji kos

2 lugë miell gruri

4 kokrra vezë

kripë

majdanoz i grirë hollë

Përgatitja
Qërojmë dhe grijmë hollë qepët.

Pastrojmë specat dhe domatet dhe i presim në kubikë të vegjël.

Shtojmë vaj ulliri në një tigan të madh, shtojmë si fillim qepët dhe specat, i kaurdisim për pak dhe më pas shtojmë mishin e grirë, e kaurdisim pak e më pas shtojmë domatet e grira.

I kaurdisim në zjarr derisa volumi i tyre të ulet. Shtojmë kripën dhe majdanozin e grirë.

Të gjithë masën e hedhim në një tavë dhe nisim përgatitjen e salcës me kos, vezë dhe djathë.

Në një tas rrahim vezët shtojmë miellin dhe kosin. AgroWeb.org ju sugjeron të përdorni edhe një mikser për të përftuar një masë të njëtrajtshme në një kohë më të shpejtë.

Të gjithë salcën e shtrojmë mbi masën e perimeve që kemi në tavë, sipër hedhim djathin e grirë dhe e fusim për pjekje në furrë të parangrohur përreth 40-45 minuta derisa sipërfaqja të marrë ngjyrë të kuqërremtë./AgroWeb.org

Loading...